Kryeministri Zaev në hapjen e festivalit ndërkombëtar të teatrit Skupi: Shfaqje teatrale inventive, kurajoze dhe progresive inkurajojnë të menduarit kritik drejt sfidave shoqërore dhe sociale

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev i shoqëruar nga ministri i kulturës, Asaf Ademi, mbrëmë në skenën e Qendrës kulturore rinore hapi edicionin e dymbëdhjetë të Festivalit ndërkombëtar të teatrit – Skupi Festival.

Festivali i teatrit u hap me fjalimin e kryeministrit Zoran Zaev, i cili theksoi se me performimin e shtatë ansambleve teatrale nga rajoni dhe Evropa, ky edicion i festivalit sjell të rejat e teatrit përmes dhënies së shfaqjeve inventive, kurajoze dhe progresive, si në shprehjen teatrore ashtu dhe në aftësinë për të inkurajuar të menduarit kritik ndaj sfidave shoqërore dhe sociale.

"Ky fjalim i imi është më shumë ftesë që sonte dhe në gjashtë netët e ardhshme të festivalit, të jeni dëshmitarë, madje edhe aktorë të magjisë së teatrit si një akt i mrekullueshëm i dashurisë dhe pasionit.

Këto janë energjitë e teatrit, e aktorëve, e regjisorëve, e skenografëve, e muzikantëve, e valltarëve, e punëtorëve të skenës. Dashuria dhe pasioni si esenca e teatrit, bëjnë që ai të lëvizë, të ndriçon dhe të ndrit, të pyes dhe të pyetet, të shqetëson, të rrit shpirtin, të shpalos, të provokojë dhe të thyen konventa. Teatri është një bisedë me shoqërinë. Teatri është arti i parë dhe alkimia e vetme që prej hijeve dhe heshtjes krijon fjalë, lëvizje, dritë dhe jetë", theksoi kryeministri Zaev në fjalimin e tij, duke shtuar se çdo shfaqje teatrale është si Feniks. Ajo ngritet para syve të publikut në një moment, jeton në skenë, dhe përfundon me lëshimin e perdes, që të rikthehet përsëri në shfaqjen e ardhshme.

Ministri i kulturës, Asaf Ademi, gjithashtu iu drejtua publikut në hapjen e Festivalit ndërkombëtar të teatrit, duke theksuar nevojën për mbështetje institucionale për këtë lloj ngjarjesh kulturore.

"Si ministër i kulturës do të doja të shpreh bindjen time se Ministria e kulturës dhe në të ardhmen do të mbështesë qëndrueshmërinë e këtij festivali, i cili është një kontribut i madh për zgjerimin e bashkëpunimit me teatrot e rajonit, por edhe në përgjithësi në thellimin e marrëdhënieve kulturore me vendet e tjera", tha ministri Ademi në hapjen e edicionit të dymbëdhjetë të Festivalit ndërkombëtar të teatrit – Skupi Festival.