Republika e Maqedonisë e prezantuar nga Ministria e financave dhe Banka Evropiane për rindërtim dhe zhvillim-BERZH, sot kanë nënshkruar Marrëveshjen për WBIF grant prej 68.6 milion euro për ndërtimin e pjesës së dytë të hekurudhës në korridorin e VIII-të nga Bellakovce deri në Kriva Pallankë.
Ky është grant investimi më i madh që i është ndarë Maqedonisë për projektet infrastrukturore deri më tani, tha ministri i financave, Dragan Tevdovski pas nënshkrimit të Marrëveshjes.
"Me hyrjen e këtyre fondeve në konstruktin financiar për pjesën Bellakovce-Kriva Pallankë kemi më shumë përfitime. Së pari ulen shpenzimet e kamatës të vendit. Me nënshkrimin e marrëveshjeve për grant do të mundësohet ulja e kredisë e ndarë nga ana EBOR për fazën e dytë që është në vlerë prej 145 milion euro. Së dyti, lihet një hapësirë më e madhe fiskale gjegjësisht është në drejtim të një menaxhimi më të mirë me borxhin publik. Së treti kur granti të realizohet ai do të jetë një injeksion i rëndësishëm në ekonominë e Maqedonisë ", ka theksuar ministri, Tevdovski.
Projekti për ndërtimin e hekurudhës në Korridorin VIII-të ka për qëllim lidhjen mes Detit të Zi me Detin Adriatik. Me vendosjen e këtij Korridori do të zhvillohet sistemi i transportit me çka do të kontribuoj në rritjen e shkëmbimit tregtar, përmirësimin e konkurrencës, zhvillimin e ekonomisë dhe komunikimin me vendet evropiane.
Deri më tani, Bashkimi Evropian ka ndarë 220 milion euro për sektorin e transportit në Maqedoni.
Me realizimin e këtij projekti do të përforcohet lidhja rajonale, potencoi Anka Joanesku, drejtore e zyrës së BERZH.
“Me nënshkrimin e sotëm të kësaj Marrëveshje në vlerë prej 68.6 milion euro plotësohen kredit ekzistuese nga BERZH për fazën e 1 dhe fazën e 2 nga projekti për rehabilitimin dhe rindërtimin e hekurudhës përgjatë Korridorit 8, shuma e përgjithshme është më shumë se 190 milionë euro. Me këtë grant bashkëfinancohet faza e dytë, seksioni në mes Bellakovce dhe Kriva Pallankës. Fonde shtesë të granteve në vlerë të përgjithshme prej 5.7 milion euro u siguruan nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor për të mbështetur përgatitjen dhe realizimin e projektit,” informoi Anka Joanesku, drejtor i zyrës së BERZH-it.
Ky grant do të shfrytëzohet për të bashkëfinancuar ndërtimin e 34 km të infrastrukturës hekurudhore, nga Bellakovce deri në Kriva Pallank, faza e dytë e projektit për Korridorin 8, i cili pasi të jetë finalizuar do të jetë pjesë e rrjetit të transportit Trans-Evropian, duke e lidhur Maqedoninë me Shqipërinë në perëndim dhe me Bullgarin në lindje.