Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, si pjesë e agjendës së tij gjatë pjesëmarrjes në Forumin botëror ekonomik në Davos, Zvicër, sot realizoi takim me kryetarin e Qeverisë së Republikës së Sllovenisë, Marjan Sharec.
Këtë takim të parë me kryeministrin e Sllovenisë Sharec, kryeministri Zaev e shfrytëzoi për t’ia uruar homologut të tij zgjedhjen e kryetarit të Qeverisë së Sllovenisë dhe për t’i dëshiruar sukses në realizimin e mandatit.
Në takim, dy kryeministrat i vunë në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, mes të cilave nuk ka çështje të hapur dhe të cilat kultivojnë bashkëpunimin dinamik në disa fusha.
Kryeministri Zaev shprehu mirënjohjen e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, si dhe të qytetarëve të vendit tonë për mbështetjen e vazhdueshme dhe thelbësore të Republikës së Sllovenisë për Republikën e Maqedonisë në aspiratat për anëtarësim në NATO dhe BE. Ai e njoftoi homologun slloven për proceset aktuale që i ka ndërmarrë Republika e Maqedonisë për këtë vit, për të filluar ratifikimin e Protokollit për aderimin e vendit tonë në Aleancë, si dhe për implementimin e reformave si parakusht për hapjen e kapitujve në negociatat me BE-në.
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev e njoftoi kryeministrin Sharec për rrjedhën e implementimit të Marrëveshjes së Prespës si zgjidhje e çështjes së hapur me Greqinë dhe se mbyllja e saj është investim i përbashkët për paqe dhe prosperitet afatgjatë në Ballkan.
Ambienti i ri i cili hapet për rajonin me zgjidhjen e kësaj çështje, si dhe me përshpejtimin e proceseve integruese edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, është me interes të veçantë për Slloveninë, konstatuan kryeministrat dhe shtuan se kjo e hap mundësinë edhe për përfitime të potencialeve ekonomike në rajon.
Në takimin midis kryeministrit të Republikës së Maqedonisë Zaev dhe atij të Republikës së Sllovenisë, Sharec, në të cilën morën pjesë zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për çështje ekonomike dhe koordinim të resorëve ekonomik, Koço Angjushev dhe ministri e ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, u diskutua edhe për avancimin e bashkëpunimit ekonomik, për përfitimet e qytetarëve të të dy vendeve, veçanërisht në industri, bujqësi dhe turizëm.