Kryeministri Zoran Zaev sot u takua me ambasadorin francez në Maqedoni Kristian Timonie, me të cilin diskutoi për çështje në lidhje me situatën aktuale politike në vend, duke përfshirë edhe miratimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend, në përputhje me Marrëveshjen e Prespës dhe vazhdimin e reformave me qëllim të integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.
Ambasadori Timonie duke vlerësuar se Maqedonia është në rrugë të drejtë për të arritur qëllimet e saj strategjike, anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO, e përgëzoi Kryeministrin Zaev për lidershipin që shpuri deri te Marrëveshja e Prespës, e cila është vendimtare për realizimin e proceseve të integrimit evropian.
„Jemi të përqendruar ta shfrytëzojmë momentin historik dhe kemi motivim më të lartë pas marrjes së ftesës për fillimin e negociatave për aderim me NATO-n dhe datën e shpallur për fillimin e negociatave me BE-në, që ta shpiem Maqedoninë në familjen euroatlantike, ku qytetarët e Maqedonisë e shohin të ardhmen e tyre”, theksoi Kryeministri Zaev, duke e falënderuar ambasadorin francez për mbështetjen e tërësishme që vendi i tij ia jep Maqedonisë dhe qytetarëve të saj gjatë realizimit të qëllimeve strategjike.
Ai përsëriti se Maqedonia do të vazhdojë me politikën e ndërtimit të miqësisë me të gjithë fqinjët, si kusht i vetëm për stabilitet dhe integrim evropian të të gjithë rajonit.
Në takim, dy bashkëbiseduesit u pajtuan se për qytetarët është shumë i rëndësishëm përkushtimi i Qeverisë për të vazhduar zbatimin e reformave në sistemin gjyqësor, administratën publike dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me të cilat hapen perspektivat për zhvillim aktiv ekonomik.
Kryeministri Zaev dhe ambasadori Timonie diskutuan edhe për mbështetjen konkrete franceze, e cila realizohet në drejtim të bashkëpunimit me ekspertë francezë në fushën e përgatitjes së administratës së Maqedonisë për negociatat me BE-në, me qëllim të fillimit sa më të shpejtë të negociatave të Maqedonisë me bashkimin.
Në takim u diskutua edhe për shfrytëzimin e mundësisë për dinamikë më të madhe të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Maqedonisë dhe Francës.
Në shenjë respekti për angazhimet e tij dhe për nder të shënimit të 25 vjetëve nga themelimi i marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Maqedonisë dhe Francës, ambasadori Timonie Kryeministrit Zaev i dhuroi monedhë argjendi me figurën e „Zhan Monesë”, një prej etërve të Evropës, në mënyrë simbolike duke i dëshiruar fat në përpjekjet për të përfunduar procesin e integrimit evropian të Maqedonisë.