Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, sot u takua me ministrin e punëve të jashtme të Republikës së Lituanisë, Linas Linkeviçius.
Në takim është shprehur mbështetja nga Lituania për integrimet e Maqedonisë në BE dhe në NATO. Është konstatuar se ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës dhe mbylla e çështjes pothuajse tre dekadëshe është pasqyrë e udhëheqjes të suksesshme të treguar nga të dyja anët si dhe paraqet shembull pozitiv të ndërtimit të miqësisë, jo vetëm në mes të dyja vendeve por edhe në Evropë.
Shefi i diplomacisë së Lituanisë, Linkeviçius i cili është ministri i parë për punë të jashtme nga një vend anëtar i BE-së, i cili viziton Maqedoninë pas rrumbullaksimit të suksesshëm të procesit për realizimin e Marrëveshjes së Prespës, paralajmëroi mbështetje aktive në procedurat me të cilat Maqedonia do të bëhet vendi i 30-të anëtar i NATO-së.
Gjithashtu është shprehur edhe vlerësimi pozitiv për realizimin në qershor, kur Maqedonia pritet të marrë datë për fillimin e negociatave me BE-në. Njëkohësisht është shprehur edhe nevoja për përparim thelbësor në implementimin e reformave, veçanërisht në fushën e gjyqësorit dhe luftës kundër korrupsionit.
„Jemi të fokusuar në fazën e dytë të procesit të reformave dhe në arritjen e rezultateve të dukshme në implementimin e reformave në pjesën e gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit, administratës efikase dhe profesionale dhe stabilizimin e sistemit të tërësishëm shtetëror. Pas ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës edhe nga ana e fqinjit jugor, presim të jemi anëtari i 30-të i NATO-s dhe pas rezultateve shtesë që do ti tregojmë edhe në reformat në planin vendor, do të marrim datë për fillimin e negociatave me BE-në. Integrimi euro-atlantik për Maqedoninë do të thotë, siguri, stabilitet dhe zhvillim ekonomik por gjithashtu është edhe kontribut i madh në stabilitetin e rajonit“, tha kryeministri Zaev.
Në këtë takim u bisedua për mundësinë e aplikimit të përvojave të Lituanisë në pjesën e IT biznesit, sinkronizimin e nevojave për realizimin e biznesit, industrisësë, arsimit në pjesën e teknologjisë kibernetike dhe informacioneve.
Kryeministri Zaev dhe ministri i punëve të jashtme të Lituanisë, Linkeviçius së bashku konstatuan raporte miqësore në mes Maqedonisë dhe Lituanisë dhe mundësi të hapura për zhvillim të bashkëpunimit ekonomik.