Kryeministri Zaev priti në takim ambasadorin e Federatës Ruse, Bazdnikin i cili i dorëzoi një kopje nga Nota me të cilën ky vend e njohu emrin Republika e Maqedonisë së Veriut

Kryetari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dje priti në takim ambasadorin e Federatës Ruse në vendin tonë, Sergej Bazdnikin.

Ambasadori Bazdnikin, Kryeministrit Zaev i dorëzoi një kopje nga Nota e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, në përputhje të së cilës në bazë të vendimit të Kryetarit të Federatës Ruse, ky shtet e njohu emrin e shtetit tonë – Republika e Maqedonisë së Veriut.

Në Kabinetin e Kryeministrit Zaev të dy bashkëbiseduesit i konfirmuan angazhimet e të dyja vendeve për mirëmbajtjen e raporteve tradicionale miqësore me dialog aktiv.

Në takim, vëmendje të veçantë iu kushtua mundësive për nxitjen e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, ku për potencialet flet fakti që eksporti i pemëve dhe perimeve të freskëta në janar këtë vit është rritur për 90%, në krahasim me të njëjtin muaj në vitin 2018.

Në këtë drejtim, intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik pritet të jetë temë qendrore në sesionin e ardhshëm të Komisionit të përzier qeveritar për bashkëpunim tregtar-ekonomik ndërmjet dy vendeve, i cili duhet të mbahet në Shkup.