Ministrja Shahpaska në panel diskutimin “Autonomia e trupit – bazë e të drejtave të njeriut”: Avancimi i të drejtave të njeriut, përfshirë edhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese të grave është angazhimi ynë për të cilin punojmë me përkushtim

 “Nga Samiti i Najrobit deri sot, si Qeveri e Republikës së Maqedonisë së Veriut kemi bërë hapa serioze. Ndër arritjet kryesore do të veçoja luftën kundër diskriminimit. Parlamenti miratoi Ligjin për mbrojtje dhe parandalim të diskriminimit dhe kjo ishte një fitore për të gjithë qytetarët dhe për barazinë. Angazhimi i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale ishte jo vetëm të përpilohet një ligj i përshtatur me direktivat e BE-së dhe standardet ndërkombëtare, por me të vërtetë të mundësojë të drejta të barabarta për të gjithë dhe mbrojtje efikase nga diskriminimi”, tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska në panel diskutimin e sotëm “Autonomia e trupit – bazë e të drejtave të njeriut”, si një rishikim i plotësimit të angazhimeve të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, që u angazhua për autonominë e trupit përmes një nga fushat e saj kryesore, barazisë gjinore. Ky angazhim u riafirmua përmes miratimit të angazhimeve kombëtare në Samitin e Najrobit në vitin 2019.
 
Qëllimi i ngjarjes ishte të rritet interesi, mendimet dhe të promovohen aksione për autonominë e trupit dhe shëndetin seksual dhe riprodhues, për avancimin e të drejtave të grave dhe të vajzave, të familjeve, komuniteteve dhe kombeve, ndërsa në pritje të Forumit të Barazisë së Gjeneratave, që do të mbahet në Paris. Panel diskutimi u organizua nga UNFPA, ndërsa në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministrinë e Shëndetësisë, Ambasadën e Francës, Zyrën e Koordinatorit të Përhershëm të KB-së, Kabinetin e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe partnerë të tjerë.
Në drejtim të plotësimit të angazhimeve nga Samiti i Najrobit, ministrja si shumë të rëndësishëm e rekomandoi Ligjin për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna mbi gratë. Por, gjithashtu, “ky është një Ligj që ofron masa për parandalim, veprim dhe mbrojtje të viktimave përmes qasjes së koordinuar dhe institucionale”, tha ministrja Shahpaska.
 
Kështu, rekomandoi edhe konceptin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut NJË SHOQËRI PËR TË GJITHË që nënkupton se gratë dhe burrat duhet të kenë të drejta të barabarta në zhvillim njerëzor, social, ekonomik dhe kulturor, si dhe pjesëmarrje të barabartë në jetën qytetare dhe atë politike. Koncepti që na bën liderë në rajon.
“Kriza me virusin Korona na ngadalësoi në punët, por në asnjë rast nuk na dekurajoi. Përkundrazi, tani jemi edhe më shumë të motivuar t’i plotësojmë angazhimet tona dhe të sigurojmë shëndet seksual dhe riprodhues dhe të drejta për të gjithë, t’i inkurajojmë vajzat dhe gratë, të sigurojmë barazi gjinore pa lënë asnjë jashtë, duke siguruar të drejta dhe zgjidhje për secilin”, theksoi ministrja.
Ajo porositi se përgatitja e Strategjisë së Re për Barazi Gjinore 2021-2026 me të cilën parashikohen aktivitetet të cilat i referohen luftës së stereotipave dhe paragjykimeve, parandalimi i dhunës gjinore, avancimi i statutit të grave në të gjitha sferat e jetës private dhe publike është konfirmim se Ministria e Punës dhe Politikës Sociale me përkushtim punon në vendosjen e barazisë gjinore në një nivel më të lartë në vendin tonë.
Gjithashtu, potencoi, se është gati versioni i punës së Ligjit të Ri për Barazi Gjinore. Qëllimi i këtij ligji është të sigurohet realizimi i barazisë së plotë gjinore, përforcimi i pozicionit dhe statutit të gruas në shoqëri, qasje e barabartë në burime dhe pjesëmarrje e barabartë në sjelljen e vendimeve në të gjitha sferat e jetës shoqërore, shtoi ministrja.
 
Ministrja potencoi se ngritja e vetëdijes për barazi gjinore në shoqëri duhet të fillojë nga mosha më e hershme. Në këtë kuptim është edhe Koncepti i ri për arsim e cila do të mundësojë përfshirjen e perspektivës gjinore në trajnimin e mësuesve, realizimin e përmbajtjeve mësimore pa stereotipa gjinore, një qasje që është e ndjeshme gjinore dhe kërkon një qasje kritike ndaj pabarazisë gjinore.
“Republika e Maqedonisë së Veriut vazhdon të punojë në avancimin e të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat seksuale dhe riprodhuese të grave, si parakusht për një shoqëri të bazuar në parime demokratike”, porositi ministrja Shahpaska në fund të fjalimit të saj.​