“Enti Shtetëror i Statistikës është tërësisht i përgatitur për fillimin e operacionit më të madh dhe më të rëndësishëm statistikor – Regjistrimin e popullsisë, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitin 2021. Të gjitha aktivitetet përgatitore janë përfunduar tërësisht dhe jemi të gatshëm për fillimin e këtij aktiviteti”, theksoi drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, Apostoll Simovski, në konferencën e përbashkët për shtyp me zëdhënësit e Qeverisë, Dushko Arsovski dhe Muamet Hoxha.
Simovski informoi se vijojnë trajnimet e instruktorëve rajonal, të cilët në këtë aktivitet do të kenë funksion mbikëqyrës, ndërsa për disa ditë do të fillojnë trajnimet e personave të cilët do ta realizojnë regjistrimin e popullsisë, gjegjësisht regjistruesit.
"Sot përfundon konkursi për aplikimin e kandidatëve për regjistrues, numri i personave që kanë aplikuar është i kënaqshëm, interesi është i madh, deri më tani gati se 8,000 persona kanë aplikuar për të marrë pjesë në regjistrim dhe jemi të sigurt se do të kemi mbulim të plotë me regjistruesit në tërë fushën”, tha drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, Apostoll Simovski.
Në konferencën për shtyp, drejtori Simovski shprehu falënderim për vendimin e Qeverisë për t'i vënë në dispozicion personat e angazhuar me kontrata në vepër në institucionet qeveritare dhe institucionet e vetëqeverisjes lokale për t'u përfshirë në regjistrimin e popullsisë si regjistrues, në rast se kjo është e nevojshme.
Duke u përgjigjur në pyetjen gazetareske, Simovski theksoi se pret të ketë mjaftueshëm regjistrues në të gjitha rajonet dhe theksoi se vendimi i Qeverisë është vetëm mundësi diku eventualisht të intervenohet në rast se ka nevojë.
“Jemi të gatshëm për fillimin. Me propozim të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, Qeveria solli protokolle shumë të rrepta se si duhet të sillemi në kushte të pandemisë. Ne garantojmë që tërësisht deri në pikën dhe presjen e fundit do t’i respektojmë këto protokolle të rrepta. Në këtë aspekt të gjithë duhet të jenë të sigurt se në asnjë rast, nuk do të rrezikohet shëndeti i asnjë individi në shtet”, theksoi Simovski.
Lidhur me pyetjen për regjistrimin elektronik, Simovski theksoi se aspak nuk mendohet në drejtim të ndryshimit të metodologjisë, që është miratuar nga ana e EUROSTAT, e miratuar me Ligj dhe e shpallur në “Gazetën Zyrtare”.
Lidhur me refuzimin e mundshëm të disa qytetarëve për t'u regjistruar, drejtori Simovski tha se pjesëmarrja në Regjistrimin e popullsisë është një obligim ligjor i secilit qytetar.