Kryeministri Kovaçevski: Ndërtojmë kulturë të re politike me transparencë dhe llogaridhënie

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski sot mbajti fjalim në konferencën për promovimin e Planit të Pestë Nacional të Veprimit për Partneritet për Qeverisje të Hapur 2021-2023.

Në Konferencën, në të cilën morën pjesë drejtori ekzekutiv i Iniciativës Ndërkombëtare,  Partneriteti për Qeverisje të Hapur, Sanxhej Praden, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Admirim Aliti, drejtoresha ekzekutive e Fondacionit Shoqëri e Hapur, Fani Karanfillova-Panovska dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe organizatave të tjera qytetare, Kryeministri Kovaçevski theksoi se Maqedonia e Veriut, si njëra nga 78-të vendet që  ka nënshkruar Deklaratën për Qeverisje të Hapur në vitin 2011, nga e cila doli Iniciativa Ndërkombëtare e Partneritetit për Qeverisje të Hapur, e cila është në bashkëpunim të ngushtë dhe produktiv me sektorët civilë dhe të biznesi,  mbetet tërësisht e përkushtuar në zbatimin e parimeve për qeverisje të hapur.

Në vazhdim të kësaj kumtese, e përcjellim në tërësi fjalimin e Kryeministrit Kovacevski:

“Të nderuar pjesëmarrës në konferencë, 

Republika e Maqedonisë së Veriut është njëra nga 78-të vendet e cila ka  nënshkruar Deklaratën për Qeverisje të Hapur në vitin 2011, nga e cila rezultoi Iniciativa Ndërkombëtare e Partneritetit për Qeverisje të Hapur.

Qeveria në bashkëpunim të ngushtë dhe produktiv me sektorët civilë dhe të biznesit sot mbetet maksimalisht e përkushtuar në zbatimin e parimeve për qeverisje të hapur.

Kjo  përfshirje e të gjitha palëve të interesuara si partnerë dhe si mekanizma kontrolli, e bëri këtë Qeveri më transparente dhe më të përgjegjshme. Procesi krijoi një bazë për pjesëmarrje, për menaxhim efikas me burimet publike, për ndërtimin e një sistemi të integritetit dhe për krijimin e një mjedisi për qasje  në informacionet dhe të dhënat e  hapura.

Jemi krenarë që jemi në vendin e parë për sa i përket asaj që jemi të hapur dhe transparentë në rajon.

 
Të jesh në vendin e fundit në vitin 2016, të arrish deri në vendin e parë dhe të mbahet vendi i  parë për tre vjet me radhë, do të thotë vullnet, vendosmëri, punë e përkushtuar dhe përgjegjësi.

Përfitimet nga Partneriteti i  Qeverisjes së Hapur janë njohur qartë nga të gjitha palët e interesuara si një hap i madh para në transparencë dhe llogaridhënie.  Për këtë shkak këtë koncept e pranuan dhe tani e praktikojnë edhe komunat, Kuvendi dhe pushteti gjyqësor, që është kontributi ynë gjithëpërfshirës në sundimin e të drejtës.

Me krijimin e Planit të Pestë nacional të Veprimit, sot bëjmë një hap të madh përpara. Republika e Maqedonisë së Veriut është në vendin  e parë të shteteve  të cilët e zgjeruan përfshirjen drejt të gjitha institucioneve dhe zgjeruan konceptin drejt Partneritetit për Qeverisje të Hapur.
Me 4 planet e deritanishme nacionale, zbatuam mbi 50 masa dhe aktivitete mes të cilave drejtpërdrejt ndikojnë mbi realizimet e të drejtave të qytetarëve dhe e përmirësojnë statusin e tyre.

Gjithashtu, përmes konceptit të transparencës dhe llogaridhënies i afruam institucionet afër qytetarëve dhe i kyçëm në proceset e krijimit të të gjitha politikave qeveritare. Ne e njohim këtë si të vetmen mënyrë të drejtë për të krijuar politika që plotësojnë interesat dhe nevojat e të gjithë qytetarëve.

Ky koncept ka dhënë një kontribut të madh në shndërrimin e vendit nga një shtet i robëruar në një shembull të vërtetë dhe progresiv të qeverisjes së hapur dhe gjithëpërfshirëse. Dhe jo vetëm në Ballkan por edhe në mbarë botën. Vullneti i fuqishëm politik për reforma që hapin vazhdimisht institucionet dhe i shndërrojnë ato në një shërbim real për qytetarët, mbeti një nga prioritetet kryesore të këtij pushteti.

Në këtë drejtim është futja e shumë mjeteve të reja vitet e fundit si “Thesari i Hapur” përmes të cilit hapen transaksionet e thesarit në nivel kombëtar dhe vendor. Nëpërmjet thesarit të hapur kontribuojmë drejtpërdrejt në uljen e korrupsionit dhe shpenzimet janë efikase. Në të njëjtën kohë, është investimi ynë në përmirësimin e besimit të komunitetit të biznesit dhe krijimin e kushteve për rritje dhe zhvillim ekonomik.

Plani i ri Nacional i Veprimit përqendrohet në përpjekjet për të promovuar transparencën dhe llogaridhënien, luftën kundër korrupsionit, disponueshmërinë dhe cilësinë e shërbimeve publike, qasjen në drejtësi dhe mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike.

Plotësim i këtyre përpjekjeve është procesi i digjitalizimit përmes përfshirjes së mundësive të ofruara nga teknologjitë e avancuara. Teknologjitë digjitale na mundësojnë që konsultimi me qytetarët dhe shoqërinë civile të jetë një dukuri e përditshme dhe e rregullt. Asnjë politikan nuk ka më justifikim për të mos pasur kohë apo mundësi të mjaftueshme për t'u konsultuar me të gjitha palët e interesuara. Sot është më e lehtë se kurrë.

E gjithë kjo që e thash këtu para jush sot, Qeveria e bën në interes të qytetarëve, në interes të mediave, në interes të shoqërisë civile. Me këtë ne vendosëm standardet e qeverisjes dhe standardet e sjelljes politike. Ne po ndërtojmë një kulturë të re politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e cila do të jetë obligim dhe parim i qeverisjes, si tani ashtu edhe në të ardhmen.

Ju faleminderit”.