Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, iu drejtua publikut përmes kanaleve zyrtare qeveritare “YouTube” dhe “Facebook”.
Në fjalimin e tij, ai iu përkushtua stabilitetit dhe sigurisë së vendit, implikimeve ekonomike të thellimit të krizës, si dhe aktiviteteve dhe masave të cilat Qeveria i ndërmori për zbutjen dhe amortizimin e pasojave negative të krizës.
Në vazhdim të kësaj kumtese, në mënyrë të plotë e përcjellim fjalimin e Kryeministrit Kovaçevski:
“Të nderuar qytetarë,
Jemi dëshmitarë të ngjarjeve të padëshirueshme të cilat mendojmë se janë shumë prapa nesh dhe të cilat besojmë se nuk do të ndodhnin më kurrë në tokën tonë evropiane. Agresioni luftarak i Rusisë kundër Ukrainës, i cili tashmë ka marrë shumë jetë njerëzish, është një akt të cilin e dënojmë shumë. Kjo është shkelje e së drejtës ndërkombëtare dhe kërcënim për sigurinë euroatlantike. Edhe njëherë dëshiroj të theksoj se bashkë me aleatët kërkojmë ndërprerje të menjëhershme të veprimeve luftarake. Shekulli 21 duhet të jetë një shekull i dialogut dhe jo i luftës.
Të dashur bashkëqytetarë,
Në këto kohëra të trazuarave, dua që t'ju siguroj se gjendja e sigurisë në vend është stabile dhe se në këtë moment nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Maqedonisë së Veriut. Qeveria me vëmendje do të monitorojë gjendjen në Ukrainë dhe rregullisht do t’i informojë qytetarët.
Njëkohësisht, qytetarët duhet të jenë të qetë, pasi që ne si anëtare e NATO-s, e gëzojmë këtë dhe mund të llogarisim në mbrojtjen që ofron aleanca më me fuqi e mbrojtjes në botë. Edhe pse dëshira jonë është që të shmangen situata të tilla, megjithatë, në kushte të tilla të një destabilizimi të madh të sigurisë, e kuptojmë se sa e rëndësishme është të jesh pjesë e aleancës më të fuqishme ushtarako-politike. Prandaj, ju siguroj, vendi ynë është i sigurt!
Por sfidat më të mëdha me të cilat përballemi janë të fushës ekonomike. Për shkak të veprimeve luftarake të Rusisë kundër Ukrainës, kriza globale energjetike dhe ekonomike tani thellohet. Na pret një vit i pasigurt ku do të vuajë ekonomia në Evropë dhe në botë.
Dëshiroj t’ju siguroj se Qeveria nga afër po i ndjek ndryshimet në trendet botërore ekonomike dhe si më parë do të veprojë me përgjegjësi maksimale dhe në interesin më të mirë të mbrojtjes së ekonomisë vendase dhe gjendjes financiare të qytetarëve.
Deri më tani, përmes strategjisë së duhur në këtë vit të jashtëzakonshëm të krizës, ne si Qeveri insistojmë dhe mundësojmë që të gjitha burimet dhe energjitë të përqendrohen drejt përballjes me krizën dhe mbështetjes ekonomike për qytetarët dhe ekonominë. Kemi rritur pagat, do të rriten pensionet dhe financiarisht i mbështesim kompanitë. Në këtë mënyrë do të vazhdojmë më tej.
Tregjet globale janë më të goditur nga lufta ruso-ukrainase, ndërsa ekspozimi ynë drejt këtyre dy ekonomive është i vogël. Nuk ka prezencë në sektorin financiar, ndërsa investimet e huaja janë nën 1% të vlerave të përgjithshme.
Ndikimi i pritur global në rritjen e çmimeve të ushqimeve elementare dhe energjisë, që do të nënkuptonte thellimin e krizës ekzistuese energjetike, është diçka për të cilën ne si Qeveri jemi absolutisht të përgatitur dhe do të përgjigjemi në mënyrën e duhur.
Të gjitha bisedat e mia të përditshme me anëtarët e Qeverisë janë të përqendruara në monitorimin e gjendjeve me energjinë elektrike, gazin, energjetikën dhe ekonominë, si në vend, ashtu edhe në rajon. Me përkushtim po punojmë mbi masat për të ulur presionin ndaj qytetarëve, amvisërive dhe ekonomisë.
Në këtë rast dëshiroj të porosis:
Të gjitha institucionet në vend nga Qeveria dhe ato në nivel më të ulët, në mënyrë sa më të përgjegjshme t'i shpenzojnë mjetet dhe të punojnë në mënyrë sa më efikase me qëllim që të amortizojnë pasojat negative të krizës.
Tani është koha për përgjegjësi pa kompromis.
Është koha të dëshmojmë se mundemi bashkërisht të veprojmë për të mirën e qytetarëve.
Të nderuar qytetarë,
Kjo krizë është një sfidë e madhe, por ju siguroj se mundemi ta tejkalojmë dhe do ta tejkalojmë me përpjekje të përbashkëta. Dëshiroj të theksoj se Qeveria mënyrë të përkushtuar do të punojë në mbrojtjen e ekonomisë, standardit tonë për jetesë, ndërsa çdo denarë nga buxheti do të drejtohet që më lehtë të tejkalojmë këtë periudhë të trazirave të historisë sonë të përbashkët”.