Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski në intervistë për Slobodna TV, theksoi se janë duke përfunduar analizat në lidhje me metodologjinë për ngritjen dhe dhënien e ndihmës financiare për pensionistët në bazë të sesionit të parë nga dialogu me Lidhjen e Shoqatës së Pensionistëve dhe theksoi se kjo çështje është prioritet në përballjen me krizën aktuale gjegjësisht me luftën në Ukrainë e cila ka përmasa evropiane dhe botërore.
“Sot do të kemi takim me shoqatat e pensionistëve dhe besoj se do të kemi zgjidhje për metodologjinë e re për pensionet dhe për pakon financiare për përkrahje të pensionistëve”, theksoi Kryeministri Kovaçevski.
Kovaçevski shtoi se gjatë krizës me pandeminë, si dhe në kushte të krizës energjetike, Qeveria ju doli në ndihmë qytetarëve dhe kompanive dhe ka miratuar disa pako dhe masa kundër krizës që kanë zbutur në masë të madhe pasojat dhe kanë reduktuar rreziqet për kompanitë.
“Është shumë e rëndësishme që në këto kushte arritëm të rrisim pagën minimale, me të cilën treguam kujdes për qytetarët. Tashmë me 2 paga minimale mund të mbulohet një shportë konsumatore, ndryshe nga 5 vite më parë kur kërkonte 4,25 paga minimale”, tha Kryeministri i Qeverisë Kovaçevski.
Kryeministri Kovaçevski përkujtoi se në raport me çmimin e energjisë elektrike është ulur norma e TVSH-së nga 18% në 5% për tregun e rregulluar, gjegjësisht për konsumatorët e vegjël dhe amvisëritë, dhe kështu për momentin kemi çmimin më të ulët të energjisë elektrike në rajon dhe më gjerë.
Në mënyrë shtesë Kryeministri theksoi tha se në drejtim të ruajtjes së standardit të qytetarëve, kemi miratuar Program për mbështetjen financiare të kategorive më të cenueshme të qytetarëve për mbulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike, e cili përfshinë mbi 7000 familje.
Sa i përket ushqimeve, tha Kovaçevski, tashmë kemi një masë me të cilën ngrinë çmimet e produkteve bazë, pasuar nga një masë për kufizimin e marzhit tregtar në shumicë dhe pakicë, të cilat tashmë janë në fuqi dhe që synojnë eliminimin e rritjes së çmimeve.