“Optimizmi im dhe ai i Kryeministrit Petkov janë për shkak të progresit në punën e grupeve të punës të formuara nga Qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Përkundër komunikimit minimal mes dy vendeve fqinje dhe me një hapësirë mediatike të dominuar nga propagandistët, tani kemi rezultate të dukshme”, tha Kryeministri Dimitar Kovaçevski në emisionin “360” në TV Alsat-M.
“Tashmë kemi fluturimin direkt që është diskutuar në takimin e parë. Tashmë kemi bursat e para të dhëna për studentët tanë në Bullgari dhe të njëjtën gjë do ta bëjmë edhe në Maqedoninë e Veriut. Ne kemi nënshkruar edhe disa marrëveshje dhe memorandume të tjera për bashkëpunim në transport, në kulturë... Nga kjo shprehemi të kënaqur, Kryeministri i Bullgarisë dhe unë”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Lidhur me kritikat nga opozita, Kryeministri Kovaçevski tha se është dëshmuar se gjuha, identiteti dhe veçantia e popullit maqedonas nuk janë temë e bisedimeve dhe se opozita ka praktikë të rregullt të kritikojë të gjitha marrëveshjet që bëjnë një hap strategjik përpara për vendin tonë.