Kovaçevski: Të dhënat nga regjistrimi i popullsisë janë bazë për politika reale dhe politika për zhvillim

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në intervistën për emisionin “360” për TV Alsat-M ka theksuar se regjistrimi i popullsisë është operacion statistikor, jo operacion etnik apo politik dhe se shteti e ka realizuar për të zbatuar politikat e tij ekonomike dhe zhvillimore në bazë të shifrave.

“Unë kam punuar 22 vite në sektorin real dhe sa herë që bëhet një plan biznesi për fillimin e vitit të ardhshëm merren të dhëna për popullsinë rezidente në vend. Të dhënat nga regjistrimi i fundit zyrtar i popullsisë dhanë inpute të gabuara në fillim në planifikimin e biznesit dhe planifikimin tjetër në sferat sociale, dhe kjo thjesht nuk ishte më e qëndrueshme," tha Kryeministri Kovaçevski.

Kovaçevski shtoi se sa i përket përfaqësimit etnik, rënia e popullsisë është e njëjtë dhe është e shpërndarë në mënyrë të barabartë në të gjitha bashkësitë etnike dhe se është e përbashkët për të gjitha vendet e Ballkanit.

“Prandaj ky regjistrim është i rëndësishëm për ne për të krijuar politika ekonomike që do të kthehen në kapital njerëzor, investime dhe hapje të mundësive më të mëdha, veçanërisht për të rinjtë që të qëndrojnë në vend”, tha Kovaçevski në emisionin “360”.

Regjistrimi është kryer mbi bazën e një metodologjie të miratuar nga “Eurostat” dhe me praninë e ekspertëve të BE-së duke përdorur teknologjinë më të fundit, plus është një model i kombinuar i regjistrimit duke përdorur 9 baza të dhënash nga institucione të ndryshme nga shteti për të marrë të dhëna të kryqëzuara.

Tani që u publikuan të dhënat, tha Kryeministri Kovaçevski, regjistrimi kritikohet nga ata që kanë bërë obstruksionet më të mëdha, duke shtuar se përveç realizimit të regjistrimit në kushtet e KOVID-19, ai u përball me bojkot aktiv dhe të fshehur nga opozita, gjegjësisht nga E Majta dhe VMRO-DPMNE-ja.