Shefi i ri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka për qëllim që së shpejti t'i fillojë bisedimet për anëtarësim në BE
Në një shkallë nga një deri në dhjetë, sa jeni të lumtur që Maqedonia e Veriut është në NATO?
Sulmi i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës, dëshmon se anëtarësimi në NATO, aleanca më e madhe e mbrojtjes në botë, është e një rëndësie të madhe për çdo anëtar. Ne jemi një vend i vogël. Siguria jonë garantohet nga të gjithë anëtarët e NATO-s, gjë që ka shumë pasoja pozitive për shoqërinë tonë, si dhe për ekonominë tonë. Sepse investitorët e huaj, veçanërisht ata në sektorin e infrastrukturës, e dinë se janë në një vend të sigurt, të mbrojtur nga NATO. Domethënë prej në një deri në dhjetë, kjo është një dhjetë e pastër.
Përpara Samitit të fundit të BE-së, Kryeministrja estoneze Kaya Kalas tha: "Oreksi i Putinit po rritet. “A jeni i shqetësuar se Maqedonia e Veriut së shpejti do të jetë në menynë e Kremlinit?
Ballkani Perëndimor ka qenë gjithmonë në interes të Rusisë. Ndikimi i saj përmes mediave, duke përfshirë edhe disa parti politike, ka qenë gjithmonë i pranishëm. Rusia ka interes për konfliktet e ngrira në Ballkan, të cilat i pengojnë vendet të ndjekin rrugën e tyre drejt integrimit euroatlantik. Edhe në Maqedoninë e Veriut i kemi këto probleme.
Nga rrjedhin dezinformatat në Maqedoninë e Veriut?
Ato burojnë nga vende të treta që nuk duan që ky vend të përparojë dhe të zhvillohet. Kjo është e financuar qartë nga Rusia. Për këtë arsye anëtarësimi në BE është qëllimi ynë strategjik. Kjo ofron lirinë e të menduarit kritik, drejtësinë sociale dhe prosperitetin ekonomik. Këtë e duan edhe njerëzit në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon.
A i ndaluat edhe mediat propaganduese RT dhe Sputnik, siç bënë BE-ja, SHBA-të, Britania e Madhe dhe të tjerët?
Po. Këto vendime të Këshillit i zbatuam në tërësi. Maqedonia e Veriut në tërësi e harmonizoi politikën e saj të jashtme me BE-në. Për herë të parë kemi vendosur sanksione ndaj Rusisë, duke filluar nga ato të vitit 2014. Para këtij konflikti, akoma nuk ishim tërësisht të koordinuar.
Maqedonia e Veriut dëshiron të anëtarësohet në BE, por po ju shkon si Sizifi: Ju keni ndryshuar Kushtetutën, emrin e vendit tuaj - por gjithmonë pak para arritjes së qëllimit, ka një veto të re kundër fillimit të negociatave aderuese. Ku gjendeni tani?
Maqedonia e Veriut është një shoqëri multietnike. Është shkruar edhe në kushtetutën tonë. Që ajo të funksionojë, duhet të ketë qëllime të përbashkëta - siç është aderimi në BE. BE-ja siguron demokraci, liri të mendimit, drejtësi, prosperitet. Vendi ynë ka rrugën më të vështirë për në konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në. Ne besojmë se kjo mund të ndodhë në të ardhmen e afërt. Por kjo nuk varet vetëm nga ne. Bëhet fjalë për tërheqjen e vetos së vendosur nga ish-qeveria bullgare.
Si i keni raportet me Qeverinë e re në Sofje?
Marrëdhëniet ishin shumë të këqija para ndërrimit të qeverisë. Me Kryeministrin e ri bullgar Kiril Petkov u pajtuam që në ditën e parë që çështjet e hapura politike të zgjidhen në bazë të vlerave evropiane, respektit reciprok dhe dinjitetit të qytetarëve të të dy vendeve. Pas dy muajsh shohim që komunikimi bëhet më pozitiv. Nuk e di se kur mund të bëjmë një marrëveshje. Megjithatë, fillimi i bisedimeve për anëtarësim do të ishte një shembull pozitiv për vendet e tjera të rajonit, që një vend që ka pësuar ndryshime, që ka pasur konflikte në shoqëri, e ka këtë mundësi. Jam i bindur se mund të integrohemi shpejt: Mos harroni, ne kemi qenë kandidat për anëtarësim në BE për 17 vite.
A ndihmon apo pengon lufta në Ukrainë synimet tuaja për BE?
Për mua, fillimi i negociatave për anëtarësim është gjithashtu një çështje sigurie gjeostrategjike. Sepse do të ndryshojë retorikën në vend dhe do të zvogëlojë në mënyrë dramatike ndikimin e vendeve të treta të vendit, grupeve populiste kufitare dhe partive që me sa duket financohen nga Rusia.
Si ashtu?
Sepse atëherë pyetja nuk do të ishte: Kur do t’i fillojmë bisedimet, por: Çfarë do të bëjmë saktë pas çdo kapitulli?
Hungaria i ka dhënë azil paraardhësit tuaj Nikolla Gruevskit, i cili është dënuar me burg. Keni kërkuar ekstradim nga Hungaria?
Sistemi ynë gjyqësor është i lirë nga ndikimi politik. Ish-kryeministri Gruevski është dënuar dhe kundër tij janë duke u zhvilluar procedura të tjera. Çështja e azilit politik në Hungari u drejtohet politikanëve hungarezë, jo mua. Një ditë ai do të duhet të kthehet dhe të përballet me dënimin e tij.