Kovaçevski: Gjatë krizës më të madhe ekonomike në botë buxheti është financiarisht i qëndrueshëm

Kryeministri Dimitar Kovaçevski në mbledhjen tematike kushtuar 100 ditëve të para të punës së Qeverisë tha se treguesit ekonomikë dhe financiarë janë mbresëlënës duke pasur parasysh krizën ekonomike globale në rritje të shpejtë dhe se koordinimi i të gjitha palëve të interesuara mundësoi stabilitet të sistemit financiar.

“Pavarësisht të gjitha turbulencave,  denari është stabil. Kemi vendosur mekanizma mbrojtëse në sistemin financiar që mundëson funksionim normal të tij, ndërsa niveli i duhur i rezervave devizore mundëson likuiditet të mjaftueshëm devizor për ekonominë vendore”, tha Kovaçevski.

Kryetari i Qeverisë shtoi se pakoja e masave kundër krizës dhe operacionalizimi i kredive pa interes nga Banka për Zhvillim në vlerë prej 5 milionë euro për tre linja kreditore të favorshme për mbështetjen dhe zhvillimin e sektorit privat, do të sigurojë mbështetje të ekonomisë dhe likuiditet të kompanive.

“Me programin e miratuar për reformat ekonomike për periudhën e ardhshme trevjeçare inkurajohet tranzicioni i gjelbër me qëllim të rritjes së pjesës së energjisë së marrë nga burimet e ripërtërishme, forcimit të kapitalit njerëzor, si dhe përmirësimit të konkurrencës së kompanive vendore dhe integrimit të tyre në zinxhirët e vlerës globale, si dhe formalizimit të ekonomisë, tha Kovaçevski.

Kryeministri në mbledhjen tematike me rastin e 100 ditëve të Qeverisë, shtoi se me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për tarifën doganore me të cilin janë ulur ose hequr normat doganore për 258 lëndë të para, është mundësuar ulja e kostove të prodhimit të kompanive, specifikimi më i madh i tyre, zgjerimi i prodhimit dhe rritja e numrit të të punësuarve.

Kovaçevski theksoi edhe politikën për qeverisje të mirë, transparencë dhe llogaridhënie, për të cilat tha se mbeten udhërrëfyes në të gjitha fushat e punës.

“Kemi siguruar rritje të transparencës dhe llogaridhënies në shpenzimin e mjeteve buxhetore në prokurimin publik. Institucionet tani më kanë një afat prej 30 ditësh, jo vetëm përmes Sistemit Elektronik të Prokurimit Publik, por edhe në faqet e tyre zyrtare të publikojnë informacione për prokurimin publik të realizuar, në mënyrë që qytetarët të kenë qasje të shpejtë, të lehtë, të thjeshtë dhe të kuptueshëm në informacionet për atë se si institucionet i shpenzojnë paratë publike. Angazhimi për këtë masë vjen nga sektori civil dhe nevoja e vendosur bashkërisht për të kontrolluar mënyrën se si shpenzohen paratë publike”, tha Kryeministri Kovaçevski.

Kovaçevski u ndal edhe në çështjet e vizionit për të ardhmen e vendit dhe e theksoi rëndësinë e Strategjisë Zhvillimore Nacionale 2022-2042, krijimi i së cilës  ka për qëllim të sigurojë një vizion afatgjatë dhe udhërrëfyes për zhvillimin ekonomik, social, kulturor dhe ekologjik të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Fokusi primar i Strategjisë Nacionale të Zhvillimit është hapja e mundësive, por edhe krijimi i kapaciteteve dhe rezistencës së shoqërisë për t'u përballur me pasigurinë në rritje dhe rreziqet  në mbarë botën, si dhe për t'u përballur me trendet globale siç janë  ndryshimet klimatike dhe transformimi digjital", tha Kryeministri Kovaçevski në mbledhjen tematike të Qeverisë kushtuar 100 ditëve të para të punës.