Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, mbajti takim onllajn me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për hapat e ardhshëm nga iniciativa e tyre e përbashkët, e njohur dhe e suksesshme Ballkani i Hapur.
Në takim tre liderët ranë dakord që Samiti i ardhshëm i liderëve Ballkani i Hapur do të mbahet në gjysmën e parë të qershorit në Ohër, ndërsa në fillim të shtatorit do të organizohet panair i madh turistik i verës dhe ushqimit në Serbi, ku prodhuesit maqedonas, shqiptarë dhe serb të ushqimit dhe verës do të kenë mundësi t’i prezantojnë produktet mysafirëve nga rajoni dhe Evropa.
Në samitin në Ohër do të nënshkruhen marrëveshje dhe memorandume të rëndësishme për bashkëpunim në kulturë, turizëm dhe ekonomi dhe për këtë në atë takim ishin të pranishëm edhe ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski.
Në takim u theksua se iniciativa Ballkani i Hapur mbetet e hapur për Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën.