Kovaçevski: Zbatojmë politika për mbështetjen e bujqësisë për rritjen e prodhimit vendor

Në fjalimin me rastin e 100 ditëve të para të punës së Qeverisë, Kryeministri  Kovaçevski në mbledhjen tematike theksoi se në kushte të njërës prej krizave më të mëdha botërore janë bërë përpjekje maksimale për rritjen e prodhimit vendor të lëndëve të para ushqimore bazë dhe janë siguruar sasitë e nevojshme të importit.

“Me grupin e masave të miratuara, me fondin e ndërhyrjes dhe me “Planin Nacional për prodhimin e ushqimit”, mbështesim fuqishëm bujqit dhe qytetarët dhe sigurojmë  furnizimin në kohë të lëndëve të para bazë për prodhimin e ushqimit, pleh për mbjellje dhe ushqim shtesë, farëra dhe “vaj jeshil”. Qëllimi është që me këtë mbështetje të përballemi me krizën globale, por edhe të bëhemi të pavarur nga importi me ushqim të disponueshëm dhe më të lirë”, theksoi Kryeministri Kovaçevski.

Ai theksoi se me Planin Nacional për prodhimin e ushqimit në vlerë prej 400 milionë denarë është mbështetur prodhimi vendor i produkteve strategjike bujqësore përmes masave afatshkurtra dhe afatgjata Siç informoi, janë ndarë 250 milionë denarë për Programin për fondin intervenues për masat në ndihmë të bujqve, me të cilat ulen shpenzimet e prodhimit dhe rritet prodhimi vendor i produkteve bujqësore ushqimore.

Kryeministri informoi gjithashtu se është publikuar shpallje e posaçme për dhënien me qira të tokës bujqësore shtetërore, gjegjësisht gati 6.000 hektarë vihen në dispozicion të bujqve për prodhimin e kulturave strategjike si gruri, misri, elbi dhe luledielli. Siç nënvizoi, ka ndryshuar modeli i pagesës së subvencioneve shtetërore në interes të bujqve, gjegjësisht në përputhje me rregulloret evropiane, tani parashihet paradhënie e hershme, atëherë kur mjetet financiare janë më se të nevojshme për bujqit.

Në promovimin e të arriturave të Qeverisë dhe ministrive, Kryeministri theksoi se lartë në listën e prioriteteve të Qeverisë është profesionalizimi i administratës. Për këtë qëllim, siç nënvizoi, janë duke u finalizuar ligjet e reja për të punësuarit në sektorin publik, Ligji për nëpunësit administrativë dhe ligji për shërbim të lartë drejtues.

Në fjalimin e tij, Kryeministri theksoi se është duke u zhvilluar pilot programi për riorganizimin e organeve të administratës shtetërore, agjencive dhe shërbimeve inspektuese në nivel qendror, qëllimi i të cilit është të vendosë linja të qarta llogaridhënieje, rregullim të ri hierarkik dhe respektim dhe përcaktim të funksioneve: krijues të politikave, zbatues dhe mbikëqyrës.

Përmirësimi i ofrimit të shërbimeve deri te qytetarët dhe sektori privat dhe rritja e transparencës dhe llogaridhënies zhvillohet çdo ditë me plotësimin e listës së  shërbimeve elektronike të disponueshme për publikun në Portalin Nacional uslugi.gov.mk.

Në të njëjtën kohë, siç theksoi Kryeministri Kovaçevski, me përgatitjen e marrëveshjes së re të përgjithshme kolektive për sektorin publik, qëllimi është që të sigurohet harmonizimi i pagave me rritjen e pagës minimale.