Kovaçevski: Gjuha dhe identiteti nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë temë diskutimi

Kryeministri Dimitar Kovaçevski në intervistën për emisionin “Klik Plus” në TV 21 në temë  rreth retorikës nga ana maqedonase dhe bullgare pas hapjes së klubit bullgar “Vanço Mihajlov” në Manastir, tha se pas kësaj çështje për përmirësimin e marrëdhënieve maqedonase-bullgare Marrëveshja është e mundur vetëm kur të ketë një zgjidhje gjithëpërfshirëse që do të mbyllë të gjitha çështjet e hapura, brenda një afati të qartë kohor dhe që do të nënkuptojë heqjen e pakushtëzuar të vetos së vendosur nga Bullgaria për fillimin e konferencës së parë ndërqeveritare për Republikën të Maqedonisë së Veriut me BE-në.

“Sigurisht që do të vazhdojmë të flasim, por bazuar në disa parime. Parimi i ruajtjes së dinjitetit të të dyja palëve, dinjitetit të politikanëve, institucioneve dhe dinjitetit të të gjithë qytetarëve në të dy vendet. Askush nuk ka të drejtë të cenojë krenarinë e qytetarëve të të dy vendeve dhe nëse plotësohen ato kushte, atëherë mund të arrijmë zgjidhje”, tha Kryeministri Kovaçevski.

Kryeministri Kovaçevski tha se në bisedimet e tij me përfaqësuesit e BE-së dhe përfaqësuesit e palës bullgare, theksoi se kërkohet zgjidhje e bazuar në vlerat evropiane, bazuar në parimin e dinjitetit të të gjithë qytetarëve të të dyja vendeve.

“Identiteti dhe gjuha nuk janë aspak temë diskutimi. Nuk kam folur dhe as do të flas për identitetin, gjuhën e popullit maqedonas. Është diçka që është e jona, diçka që kemi pasur dhe do ta kemi në të ardhmen dhe kjo është ajo që na identifikon si komb përballë të gjithë kombeve të tjera në botë dhe që na bën partnerë të mirë për dialog, për bashkëpunim për të gjithë edhe brenda vendit edhe me fqinjët, si dhe me BE-në," theksoi Kovaçevski.

Lidhur me çështjen e përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kryeministri nënvizoi se kemi një rend kushtetues që garanton të drejtat e të gjitha komuniteteve që jetojnë në këtë vend.

“Ne jemi ndoshta i vetmi vend në Evropë që kemi një Ministri për të Drejtat e Bashkësive, kemi një Agjenci për Gjuhët dhe një numër të madh institucionesh që në nivel shtetëror mbrojnë, kujdesen dhe promovojnë të drejtat e komuniteteve më të vogla në vend. Dispozita jonë kushtetuese parasheh që të drejtat individuale të vetëpërcaktimit mund të ushtrohen kolektivisht sipas Kushtetutës dhe për këtë arsye në Kushtetutën tonë kemi maqedonas, shqiptarë, vllehë, serbë etj. Prandaj, kërkesa e qytetarëve të tjerë që vetëpërcaktohen në një mënyrë tjetër është legjitime dhe një interes të tillë tashmë e kanë shprehur malazezët, kroatët. Nëse e shprehin edhe qytetarët bullgarë, sigurisht që do të jetë lëndë diskutimi në vend. Kushtetuta nuk është një libër i zakonshëm që hapet e mbyllet kush kur të dojë. Kushtetuta hapet në bazë të procedurës kushtetuese që është e paraparë”, theksoi Kovaçevski.