“Bota dhe Evropa, përveçse do të përballen me mungesën e energjisë elektrike, një pjesë e mirë e botës do të përballet edhe me logjistikën në shpërndarjen e ushqimit. Pas lëvizjeve të tregut të energjisë dhe ndikimit negativ të luftës në Ukrainë, shihet se ky dimër do të jetë më i vështiri që nga Lufta e Dytë Botërore”, thotë Kryeministri Dimitar Kovaçevski në intervistën për Zërin e Amerikës. Qeveria intensivisht është duke punuar në gjetjen e zgjidhjeve më të mira për mbrojtjen e nevojave elementare të qytetarëve, nëse nuk do të ishte subvencionimi nga shteti, ata do të paguanin pesë herë më shumë fatura të energjisë, thekson Kovaçevski në intervistën. Ai shton se termocentralet shtetërore janë vënë në funksion të plotë dhe negociatat me vendet fqinje dhe vendet e tjera janë intensive për të siguruar energji elektrike me çmim të favorshëm për ekonominë, konsumatorët e mëdhenj.
“Në kohë krize dhe lufte, çdo njeri mendon për veten dhe familjen e tij, por është detyrë e Kryeministrit të mendojë për të gjithë në vend. Prandaj, së bashku me ministrat e departamenteve ekonomike, me kryetarin e Odës Ekonomike, filluam bisedimet edhe me Serbinë, Bullgarinë dhe Greqinë. Ne po bëjmë kontakte në përputhje me marrëdhëniet tona të fqinjësisë së mirë që kemi ndërtuar në 5 vitet e fundit me të gjitha vendet fqinje, duke qenë se i kemi mbyllur çështjet e hapura, duke qenë se kemi nisur negociatat me BE-në. Dje u bisedua me Republikën e Turqisë për sigurimin e sasisë së mjaftueshme të energjencave dhe energjisë elektrike për dimër. Ky dimër do të jetë i tmerrshëm, shihni të gjitha fjalimet në OKB ku të gjithë përfaqësuesit e shteteve flasin për krizat që po ndodhin”, thotë Kryeministri Kovaçevski.
Krahas negociatave aktive me vendet fqinje, për sigurimin e energjisë elektrike për ekonominë, Kryeministri theksoi se është rritur prodhimi i energjisë elektrike në objektet shtetërore REK Bitola, Oslomej dhe TEC Negotinë.
“Kemi rritur prodhimin e energjisë elektrike në objektet shtetërore në REK Bitola, Oslomej, TEC Negotinë. Me këtë sigurojmë energji elektrike për qytetarët dhe konsumatorët e vegjël. Rreth 600,000 amvisëri dhe 70,000 konsumatorë të vegjël, kompani marrin energji elektrike të subvencionuar prej 80% - që do të thotë se nëse nuk do të ishte subvencionimi nga shteti do të paguanin pesë herë më shumë fatura të energjisë. Ajo që po bëjmë aktualisht është që përmes kontratave të drejtpërdrejta me vendet tjera të sigurojmë energji elektrike për ekonominë, gjegjësisht për konsumatorët e mëdhenj të tregut të liberalizuar, duke qenë se çmimet që janë aktualisht në bursat botërore të energjisë nuk janë të përshtatshme për ekonominë maqedonase, por nuk janë të përshtatshme për asnjë ekonomi tjetër në rajon dhe Evropë. Ne do të vazhdojmë në atë luftë për sigurimin e energjencave”, tha Kryeministri në intervistë.