Kryeministri Dimitar Kovaçevski, me iniciativë të tij, sot ka mbajtur takim koordinues online me liderët e Ballkanit të Hapur, Presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, në vigjilje të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili mbahet në fillim të nëntorit në Berlin.
Në takimin koordinues ishin prezent zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq, ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani dhe kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut Branko Azeski.
Në takim, liderët theksuan se Ballkani i Hapur është i njohur si iniciativë pozitive rajonale që tanimë jep rezultate konkrete për kompanitë dhe qytetarët kur bëhet fjalë për liritë evropiane për lëvizjen e njerëzve, shërbimeve dhe mallrave.
Për këtë qëllim, në Samitin paraprak të Procesit të Berlinit, liderët ranë dakord që t’i përcjellin të gjitha përvojat pozitive nga Ballkani i Hapur.
Nga liderët u theksua se Ballkani i Hapur është një nismë që mobilizon administratën, biznesin dhe qytetarët për përparim të përbashkët të rajonit dhe për mbështetje të përbashkët gjatë gjendjeve të krizës të shkaktuara nga mungesa e ushqimit dhe energjisë elektrike.
Liderët diskutuan edhe për qëndrimet e përbashkëta të tre shteteve për përshpejtimin e zbatimit të nismave aktuale.