Për vitin e ardhshëm kemi buxhetin më të madh për bujqësinë, me të cilin do të realizohet reforma më e madhe në bujqësi për ndryshimin e modelit të subvencionimit, masa që do të mundësojnë prodhim të qëndrueshëm dhe të shtuar të ushqimit vendor, tha Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Dimitar Kovaçevski, në intervistën e sotme për Agjencinë për Media dhe Informim -MIA.
Kryeministri Kovaçevski tha se Propozim-buxheti i ri për bujqësinë për vitin 2023 është në vlerë prej rreth 193 milionë euro, që është një rritje prej 45 milionë euro në krahasim me vitin 2022. Shumica e mjeteve, gjegjësisht 140 milionë euro janë ndarë për Agjencinë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, nga të cilat 114 milionë euro janë të dedikuara për pagesën e subvencioneve dhe zbatimin e reformës më të madhe në bujqësi.
“Me sistemin e ri ‘decoupling’, bujqit marrin paradhënie subvencionesh, të cilat do t'u paguhen në vitin aktual kur kanë aplikuar për subvencionim, gjegjësisht kur u duhen më shumë para për të filluar korrjen e re, por edhe për të pasur prodhim të qëndrueshëm bujqësor, i cili motivon bujqit për të prodhuar më shumë ushqim. Mbështetje shtesë u jepet atyre bujqve që do të fokusohen në prodhimin e kulturave strategjike, duke përdorur farëra të certifikuara, si dhe mbështetje shtesë për bujqit që krijojnë një produkt përfundimtar për shitje nga prodhimi i tyre. Theksoj se modeli i ri nuk parasheh reduktim të mjeteve të dedikuara për bujqit, por rishpërndarje më efikase të tyre, pagesë më të shpejtë, që nënkupton prodhim të planifikuar dhe të qëndrueshëm, nga i cili do të përfitojnë edhe bujqit edhe shteti”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Lidhur me efektet e modelit të ri, Kryeministri Kovaçevski sqaroi se duhet pasur parasysh se ai është i lidhur me prodhimin e ushqimit. Konkretisht, pagesa është paraprakisht në vitin aktual, në disa degë do të kemi rezultatet e para vitin e ardhshëm, por në disa sektorë pas dy vitesh, në varësi të kulturës bujqësore. Për shembull, në rastin e lulediellit, me masën e plehut artificial që është miratuar në pranverë, ka pasur rritje të prodhimit të lulediellit këtë vit, theksoi Kryeministri Kovaçevski.
Në intervistën për MIA-n, Kryeministri Kovaçevski tha se fokusi i vitit të ardhshëm do të jetë në investime kapitale në infrastrukturën e menaxhimit ujor.
“Tashmë vitin e ardhshëm 2023 përfundon ndërtimi i digës Konsko me vlerë 40 milionë euro. Në vitin 2023 do të përfundojë ndërtimi i hidrosistemit Raven-Reçicë në vlerë prej 15 milionë euro dhe do të vazhdojë ndërtimi i digës së Reçanit, si dhe ndërtimi i katër sistemeve të ujitjes brenda pellgut lumor të lumit Vardar, ndërtimi i do të fillojë diga e lumit Sllupçanska, por edhe investime të tjera kapitale”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Si pjesë e strategjisë për prodhim të qëndrueshëm dhe të shtuar të produkteve bujqësore dhe ushqimore, Kryeministri Kovaçevski theksoi se për herë të parë është miratuar Plani nacional për prodhimtari ushqimore, i cili përfshin Programin intervenues në vlerë prej 900 milionë denarë. Këto janë masa për të ndihmuar bujqit, masa që fokusohen në produktet strategjike të grurit, misrit, lulediellit, mishit, përkatësisht lëndëve të para kryesore për prodhimin e produkteve ushqimore bazë”, tha Kryeministri Kovaçevski.