“Ne deri më tani kemi marrë një sërë vendimesh të vështira, duke filluar nga viti 2001 me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, pastaj me Marrëveshjen e Prespës, me Marrëveshjen me Greqinë, si dhe me pranimin e kornizës së negociatave dhe Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë me Bullgarinë. Mund të them se pas gjithë atyre marrëveshjeve, Maqedonia e Veriut gjithmonë doli fituese”, tha Kryeministri Kovacevski në intervistën për RTV Sllovenia.
Pas Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, siç theksoi Kryeministri Kovaçevski, ne kemi një shtet të ndërtuar mbi parimet e një shoqërie demokratike ku çdo bashkësi etnike, çdo qytetar ka mundësi të barabarta për zhvillim personal dhe profesional; pas marrëveshjes së Prespës, ne u bëmë vend anëtar i NATO-s dhe tani e shohim rëndësinë e anëtarësimit në NATO; Pas pranimit të kornizës negociuese, filluam bisedimet me BE-në, pas 17 vitesh pritje.
"Gjegjësisht, vendimet e mëdha dhe strategjike gjithmonë janë në dobi të qytetarëve”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Kryeministri Kovaçevski tha se mbështetja e Maqedonisë së Veriut në aspiratat e saj për anëtarësim të plotë në BE, nga miqtë e NATO-s dhe BE-së është e një rëndësie të madhe.
“Maqedonia e Veriut është një shtet që në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike, duhej të merrte ndoshta vendimet më të vështira në krahasim me të gjitha vendet e tjera që iu bashkuan NATO-s dhe BE-së. Lirisht mund të them se ato vendime shkaktojnë mundim në shumicën e popullit tonë, por edhe tek unë. Unë i ndaj ato ndjenja. Por nga ana tjetër, ne si vend nuk kemi alternativë tjetër. Alternativa e vetme për Maqedoninë e Veriut dhe ajo që përshkruhet në dokumentet strategjike të vendit tonë është integrimi në NATO dhe integrimi në BE”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Në intervistë, Kryeministri Kovaçevski theksoi se - "Morëm një kornizë negociuese me një gjuhë të pastër maqedonase, me një identitet të mbrojtur të maqedonasve, me të gjitha tiparet kulturore dhe të tjera që e shënjojnë një komb dhe me këtë mund të fillojmë bisedimet me BE-në”, dhe theksoi se - “qeveria stabile politike është gjithmonë e mirë për çdo vend”.
Kryeministri Kovaçevski tha se vendet e rajonit, veçanërisht vendet anëtare të BE-së, kanë obligim që të promovojnë vlerat evropiane ndër vendet e tjera të rajonit, sepse rajoni duhet të ecë përpara.
“Dhe vetëm me vullnet politik, bashkëpunim dhe mirëkuptim institucional ndërmjet shteteve mund të ecim përpara”, vlerësoi Kryeministri Kovaçevski.