Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, me rastin e shënimit të 8 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Romëve, sot në një ngjarje në Qeveri mbajti fjalim me temë: “Perspektivat evropiane dhe zhvillimi cilësor i komunitetit rom në Maqedoninë e Veriut”.
Fjalimin e Kryeministrit Kovaçevski ua përcjellim në tërësi:
„Të nderuar mysafirë,
Të nderuar ambasadorë,
Të nderuar ministra në Qeveri, deputetë,
Më vjen mirë që sot në këtë ngjarje me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve jemi mbledhur palë të ndryshme nga shoqëria jonë, por të gjithë ndajmë të njëjtat vlera, siç janë vlerat e barazisë, respekti për pakicat nacionale investimi i përbashkët në realizimin e të drejtave, të cilat janë shumë të rëndësishme jo vetëm për romët, por për të gjitha pakicat nacionale në Maqedoninë e Veriut.
Është mirë ta kujtojmë përvjetorin e Kongresit të Parë Botëror të Romëve në Londër, nga viti 1971. Në atë kohë u morën vendime të rëndësishme për pozitën e pakicës nacionale rome në tërë Evropën, vendime të rëndësishme për identitetin dhe vetëdijen e tij, për gjuhën dhe kulturën e romëve. Avancimi i pozitës së komunitetit rom në vendin tonë është në fokus të kësaj Qeverie.
Angazhimi im personal si person mbi të gjitha dhe si Kryeministër është ndërtimi i një shoqërie të barabartë dhe gjithpërfshirëse, themelet e së cilës janë besimi dhe bashkëpunimi i ndërsjellë. Një shoqëri në të cilën qytetarët dhe komunitetet ndihen të sigurt dhe kanë mundësi të barabarta për zhvillim personal dhe profesional. Për këtë arsye unë angazhohem në partneritet dhe bashkëpunim të sinqertë me të gjithë aktorët shoqërorë, shtetërore, joqeveritare, organizatat qytetare, shoqatat për të përmirësuar pozitën e komunitetit rom në vendin tonë.
Si rezultat i procesit të Berlinit, në korrik të vitit 2019, në Samitin e Poznanit, vendi ynë, së bashku me vendet e rajonit, u angazhuan për të përmirësuar situatën e romëve dhe për të arritur rezultate konkrete në fushën e arsimit, punësimit, shëndetësisë, strehimit, dokumentacioni civil dhe lufta kundër diskriminimit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Republika e Maqedonisë së Veriut miratoi Strategjinë Nacionale për Romët 2022-2030 në përputhje me Kornizën Strategjike Evropiane dhe është pjesë e politikave publike të shtetit dhe bazë për ndërmarrjen e veprimeve konkrete në të gjitha fushat e përmendura.
Komisioni Evropian, në lidhje me Strategjinë për Përfshirjen e Romëve, vuri në dukje angazhimin e fortë të vendit tonë si dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor në lidhje me përfshirjen e romëve dhe rëndësinë e zbatimit të angazhimeve nga Poznani.
Veçanërisht më vjen mirë që bashkëqytetarët tanë romë kanë potencialin të udhëheqin çështjen e integrimit të tyre dhe të jenë shembull për të tjerët në rajon. Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka ndarë fonde për projekte specifike për të mbështetur zbatimin e Strategjisë për Romët për vitin 2023.
Angazhimi i Qeverisë që unë udhëheq është të avancojë këtë trend, duke krijuar mundësi për zbatimin konsekuent të Strategjisë së Përfshirjes së Romëve dhe Planeve Nacionale të Veprimit.
Për integrimin më të mirë të romëve në vendin tonë, do të veçoj si kyç mbajtjen e më të rinjve në sistemin arsimor, për të cilin do të angazhohem personalisht.
Nëse kemi sukses në këtë, atëherë do të zgjidhim problemet e shumta me të cilat përballet komuniteti rom. Ne duhet të ruajmë pozicionin tonë në rajon, ku shquhemi si një vend shembull pozitiv për numrin e studentëve romë që janë aktivë në vend dhe në botë.
Republika e Maqedonisë së Veriut, si anëtare e ardhshme e BE-së, ka për obligim që të përgatisë zgjidhje ligjore sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe harmonizimin e tyre me normat dhe standardet ndërkombëtare.
Prandaj, si Qeveri, angazhohemi edhe për rritjen e numrit të romëve që hyjnë në tregun e punës. Këtë e arritëm përmes Programit pperativ për masa aktive nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, në nxitjen e sipërmarrësisë tek komuniteti rom.
Efekt të madh patën edhe masat e Qeverisë për mbështetjen e sipërmarrësve, të cilat u dhanë mundësi subjekteve të administruara nga romët t'i përdorin këto masa për formalizimin apo promovimin e biznesit. Këtë vit filloi të funksionojë fondi i investimeve REDI, për të cilin Qeveria nënshkroi një memorandum të veçantë për përputhjen dhe sinergjinë e aktiviteteve me sektorin civil, në lidhje me zhvillimin e sipërmarrjes tek komuniteti rom.
Në këtë drejtim është edhe hapja dhe bashkëpunimi ynë me programin Romakted nga Këshilli i Evropës, i cili mundëson zbatimin e Strategjisë së Romëve në nivel lokal në 15 komuna. Nëpërmjet projekteve IPA, bashkëpunimit me USAID-in, qeverinë e SHBA-ve, komunitetet lokale dhe sektorin civil rom, përmes bashkëpunimit me BE-në ne realizojmë projekte të shumta.
Me këtë rast do të veçoj banesat, ku një target grup veçantë është komuniteti rom. Projektet në fushën e strehimit, legalizimit, banesave sociale, investimeve në infrastrukturën komunale janë investime më të mëdha në terma afatgjatë, por kjo nuk do të thotë se nuk do të realizohen.
Kemi ende shumë punë për të bërë, por rritja dhe zhvillimi i çdo shoqërie, gjithëpërfshirja, respektimi i barazisë nuk ka kufi dhe ne duhet të përpiqemi gjithmonë të investojmë edhe më shumë për të qenë më të mirë.
Të dashur bashkëqytetarë romë, jini krenarë për potencialet që keni. Unë si Kryeministër dhe Qeveria do të vazhdojmë me praktikat pozitive për të rritur investimet në arsim, punësim dhe strehim. Ne do të angazhohemi për një proces cilësor dhe zhvillim të komunitetit rom dhe të gjithë shoqërisë.
Në periudhën e kaluar personalisht kam dëshmuar se gjithmonë e vlerësoj profesionalizmin. Kemi romë që kryejnë funksione të rëndësishme, në pozicionet e sekretarit shtetëror, këshilltarëve në kabinetin tim.
Një nga diplomatët tanë më të mirë dhe më me perspektivë që kemi në Bruksel është pikërisht një punonjëse jashtëzakonisht cilësore e Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila është rome nga nacionaliteti i saj. Deputetja Latife Shikoska, kolegët e saj, së bashku me mua, realisht çdo ditë bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të përmirësuar çdo segment të jetës së komunitetit rom.
Javën e kaluar, diçka që nuk është bërë për 13 vjet, nëse i shikova saktë datat, në një zonë të populluar të Shkupit ku nuk ka pasur rrymë - që nga kjo e hënë është kyçur rryma, që është një gjë elementare që çdo familje duhet të ketë dhe për këtë falënderim edhe për deputeten dhe për kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike dhe për MPPS-nl dhe për ME.
Në këtë mënyrë tregojmë se të gjithë së bashku mund të ecim para, sepse e dini se si i vetëm njeriu mund të arrijë diku shpejt, por bashkë vetëm me miqtë, vetëm bashkë me ata me të cilët ndan të njëjtat vlera, mund të shkojë larg.
Urime 8 Prillin, Ditën Ndërkombëtare të Romëve, ju uroj shumë shëndet!”