Kryeministri Kovaçevski u prit me nderimet më të larta shtetërore nga kancelari gjerman Scholz

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, u prit solemnisht nga kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz, me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake. Në prani të gardës dhe intonimin e himneve të dy vendeve, kancelari gjerman Scholz priti kryeministrin Kovaçevski, i cili ndodhet në vizitën e tij të parë zyrtare në Berlin. Në delegacionin e kryesuar nga kryeministri Kovaçevski janë edhe zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane Bojan Mariçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Këtë vit bëhen tre dekada nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes vendit tonë dhe Gjermanisë. Marrëdhëniet e bashkëpunimit mes dy vendeve bazohen në dialog intensiv politik dhe bashkëpunim të rëndësishëm në të gjitha fushat. Maqedonia e Veriut ka mbështetje të fortë dhe domethënëse nga Republika Federale e Gjermanisë për integrimin tonë evropian. Vitet e fundit, si shtet, jemi inkurajuar nga Gjermania përmes disa projekteve rajonale si Procesi i Berlinit në përmbushje të rekomandimeve të Bashkimit Evropian.

Përveç partnerit tonë politik dhe aleatit të NATO-s, Republika Federale e Gjermanisë është partneri ynë më i rëndësishëm tregtar, gjë që konfirmohet nga një numër i madh i kompanive gjermane që janë të pranishme dhe punojnë në Maqedoninë e Veriut, duke punësuar më shumë se 20,000 qytetarë tanë.