Kryeministri Dimitar Kovaçevski, në një intervistë për Agjencinë Informative Mediatike (MIA), theksoi se këtë vit janë pranuar rekord 427 kërkesa nga po aq kompani për mbështetje përmes Ligjit për përkrahje financiare të kompanive dhe janë lidhur 294 kontrata të reja me investime të planifikuara prej 365.9 milionë euro, që është tre herë më shumë se ato të planifikuara në vitin 2022.
“Pa investime të reja nuk ka rritje ekonomike. Investimet e brendshme dhe të huaja janë njësoj të rëndësishme për ne. Pas numrave rekord të mbështetjes më të madhe financiare për numrin më të madh të kompanive në pesë vitet e fundit, të cilën e kemi siguruar vitin e kaluar dhe këtë vit vazhdojmë me interesim rekord për grupin e masave që parashikojmë përmes Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve.
Parashikohen mbi trefishim të vendeve të reja të punës, të cilat planifikohen të hapen me investimet në kuadër të kontratave të reja. Pra, për të gjithë kohëzgjatjen e projekteve janë planifikuar 4439 vende të reja pune.
Prioriteti ynë kryesor është krijimi i një mjedisi të favorshëm biznesi për kompanitë, duke nxitur stabilitetin afatgjatë ekonomik. Investimet janë të një rëndësie jetike për ekonominë, sepse nxisin rritjen ekonomike, krijojnë mundësi të reja pune, stimulojnë inovacionin, produktivitetin dhe konkurrencën dhe e gjithë kjo nënkupton rritje të prodhimit dhe standard më të lartë të jetesës për qytetarët”, tha Kovaçevski.
Kryeministri, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske për Agjencinë Informative Mediatike (MIA), lidhur me veprimtarit e kompanive që tregojnë interesim më të madh për investime në përputhje me këtë Ligj, tha se numri më i madh i kompanive janë nga industria e drurit, mobilieve, shtypshkronjave dhe produkteve të letrës, pasuar nga industria e makinerive metalike, llamarina, alumini, prodhimet e qelqit, si dhe industria e përpunimit ushqimor, por ka edhe industrinë e tekstilit, atë të lëkurës, pastaj industrinë e informacionit dhe komunikimit, industrinë farmaceutike dhe kimike.
“Numri rekord i aplikimeve është rezultat i rritjes së besimit të kompanive që njohin partner në Qeveri.
Dhe këtë vit do të vazhdojmë të zbatojmë politika që do të sjellin më shumë para për qytetarët, investime në projekte të reja infrastrukturore, mbështetje të kompanive vendase dhe të huaja, të cilat së bashku do të kontribuojnë në rritjen e mjeteve në buxhet dhe kthimin e parave tek qytetarët, duke ndikuar në krijimin e një ekonomie më të fortë dhe një shteti të prosperuar”, konkludoi Kovaçevski.