Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, së bashku me zëvendësin e parë të kryetarit të Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Artan Grubi, morën pjesë dhe mbajtën fjalim në ngjarjen për shënimin e 22 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Në këtë manifestim, Kryeministri Kovaçevski dhe zëvendëskryeministri i parë Grubi u ndanë certifikata pjesëmarrësve për përfundimin me sukses të Shkollës për liderë të rinj " Peace forum dialogue " me temë "Integrimi përmes pajtimit" organizuar nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.
“Këtë vit shënojmë 22 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, kur vendi ynë hapi një kapitull të ri të historisë së tij të re në frymën e paqes, fqinjësisë së mirë dhe respektit të ndërsjellë. Nga një vend që më shumë se dy dekada më parë po përballej me mundësinë e përhapjes së konfliktit, ne jemi rritur në një simbol të multietnicitetit, multikonfesionalizmit dhe multikulturalizmit. Marrëveshja Kornizë e Ohrit zëvendësoi fjalimin e armëve në terren me fjalën e arsyes në tryezë, institucionalizoi çështjet e hapura dhe dërgoi mesazhin se problemet nuk zgjidhen me konflikt, por me dialog dhe debat. Dhe se, siç thotë edhe vetë marrëveshja, nuk ekzistojnë zgjidhjet territoriale për çështjet etnike”, tha Kryeministri Kovaçevski në ngjarje.
“Sot, nga kjo distancë kohore, dua të theksoj një fakt të pamohueshëm – e ai është se Marrëveshja Kornizë e Ohrit solli paqen dhe vendosi një kornizë të fuqishme për marrëdhëniet ndëretnike, para së gjithash bashkëjetesën, mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit. Të gjithë së bashku, me respekt për njëri-tjetrin, me kujdes dhe përkushtim të ndërsjellë që të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe në këtë mënyrë ta ndërtojmë vendin tonë”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Gjithashtu Kryeministri Kovaçevski theksoi se ne si shtet i përmbushëm aspiratat tona për avancimin e të drejtave të bashkësive duke krijuar Sekretariatin për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, i cili u shndërrua në Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive. Në fjalën e tij, Kryeministri theksoi rëndësinë e Shkollës për Liderë të Rinj, e cila organizohet nga Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve me Bashkësitë për të dytin vit radhazi.
“Republika e Maqedonisë së Veriut nxori një mësim nga e kaluara. Kemi mësuar se sfidat na bëjnë më të fortë dhe na inkurajojnë të ecim përpara sepse bashkimi është forcë. Ne kemi pritur shumë gjatë shansin tonë për t'u bërë pjesë e BE-së për të humbur kaq lehtë mundësinë për një jetë më të mirë dhe më cilësore për të gjithë ne. Jam i vetëdijshëm për sfidat që më presin, por shpresoj edhe ndërgjegjësimin e bartësve të tjerë të proceseve se vendi ynë meriton një të nesërme më të mirë edhe atë tani. Qytetarët presin që ne të vazhdojmë me guxim përpara, të gjithë së bashku dhe të gjithë si një të realizojmë angazhimet tona dhjetëvjeçare si qytetarë të Republikës Evropiane të Maqedonisë së Veriut”, përfundoi në fund kryeministri Kovaçevski në fjalimin e tij me rastin e 22 vjetorit të nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Zëvendësi i parë i kryetarit të Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Artan Grubi në ngjarje potencoi se një nga pikat kryesore të edicionit të dytë të " Peace forum dialogue " është mësimi dhe ligjërimi i vlerave të vërteta të politikave të bashkëpunimit, politikave evropiane dhe pro-amerikane, si një sukses i garantuar për një të ardhme më të mirë.
Pse ta trajtojmë Marrëveshjen e Ohrit? Në periudhën nga nënshkrimi i saj e deri më sot, ne kemi një gjeneratë të re që me të vërtetë ndoshta nuk di shumë për këtë marrëveshje, për shtetin e disa viteve më parë dhe për arritjet që janë arritur me këtë marrëveshje. Ky brez 22-vjeçarësh, por edhe më të vjetër, duhet të informohet për këtë proces historik paqësor.
„Peace Forum Dialogue“ si dhe „Peace Festival“ – përcjellin vlerat e duhura të demokracisë, që të mos përsëriten gabimet e së shkuarës. Ato japin mesazhe paqeje dhe tolerance për një të ardhme më të mirë”, nënvizoi zëvendëskryeministri i parë, Grubi, duke shtuar se përmes këtyre aktiviteteve, pjesëmarrësit dhe qytetarët ju bëhet me dije se pasi vendi ynë u bë anëtar i plotë i NATO-s, do të vazhdoj edhe rrugës drejt BE-së.