Përkrahja për realizimin e investimeve reale është aspekti themelor mbi të cilin bazohet koncepti i Qeverisë së re për rritje më të lartë ekonomike dhe standard më të lartë jetese, i cili pasqyrohet edhe në buxhetin për vitin 2025, i cili është në fazën përgatitore, theksoi sot ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska në tribunën e parë të Platformës: 100% të përkushtuar për ty.
Standard cilësor jetese dhe më të mirë nuk do të thotë vetëm rritje pagash, por përmirësim në të gjitha segmentet, respektivisht do të thotë edhe ekonomi më e mirë, shëndetësi, infrastrukturë më e mirë”, nënvizoi ministrja.
Ajo shtoi se gjatë viteve të kaluara kemi hasur në koncept që bazohej mbi konsumin, për të cilin janë shpenzuar qindra milionë euro dhe nuk kishte efekt. Sipas ministres, gjithçka varet nga koncepti dhe se më e rëndësishme është që të perceptohen gjërat në mënyrë thelbësore dhe reale.
“Pa investime reale nuk ka rritje. Gjatë ndryshimit të konceptit mendojmë se çfarë mund të japë rezultate më të shpejta dhe në bazë të analizave kemi vendosur që t’i përkrahim komunat, sepse ato kishin projekte të gatshme që do të japin efekte në mënyrë më të shpejtë.
Këto janë investime reale dhe do të japin rezultate edhe në rritjen e PBB-së, me ç’rast ndikim do të kenë edhe investimet e sektorit privat, për të cilat janë planifikuar 250 milionë euro nga huaja hungareze”, theksoi ministrja dhe shtoi se ky model nënkupton edhe standard më të lartë jetese.
Ministrja iu referua edhe gjendjes së buxhetit në tribunë, duke theksuar se financat publike janë stabile, por se buxheti është ende i ngarkuar me aktvendime përmbaruese dhe interes.
Në tribunë, krahas ministres së Financave mori pjesë edhe ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, drejtori i Drejtorisë Doganore, Boban Nikollovski, u.d. drejtori i Agjencisë së Punësimit, Selatin Beluli dhe udhëheqësja e Sektorit të Reformave në Administratën Publike pranë Ministrisë së Administratës Publike, Esma Adiloviq Fazliq.