Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë vizitës së SHFK "Krste Misirkov"-Shkup, Komuna e Gazi Babës, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske për gjendjen në bujqësi, se a është katastrofike siç thekson LSDM-ja opozitare dhe prodhuesit e qumështit po përballen me falimentim, deklaroi se përkundër subvencioneve të trashëguara, të pa paguara, tani ka pagesa të rregullta të subvencioneve aktuale dhe shlyerje të borxheve të vjetra.
“Në bujqësi trashëguam një imazh jashtëzakonisht të vështirë dhe borxhe të mëdha. Përveç pagesës së rregullt të subvencioneve, deri më tani kemi afërsisht ose mbi një miliard denarë borxhe të vjetra të shlyera. Presim në buxhetin e ardhshëm dhe në vitin 2026 të barazohemi me pagesën aktuale të subvencioneve”, deklaroi kryeministri.
Kryeministri nënvizoi se mesazhet që vijnë nga LSDM-ja opozitare janë të bazuara në injorancë dhe është i tronditur prej tyre.
“Unë me të vërtetë edhe një herë do të them se jam i tronditur nga këto mesazhe të cilat bazohen në injorancë, të cilat vijnë nga LSDM, por po e them edhe një herë, ata zgjodhën të udhëheqin një politikë të tillë, u takon atyre. Politika jonë është ajo që portretizohet me vepra, me projekte, me reforma, me zhvillim”, theksoi kryeministri Mickoski.
Prioritet i Qeverisë është përkrahja e bujqësisë maqedonase, prandaj po marrim masa dhe projekte për të rikthyer shpresën te bujqit.