Qeveria e re hasi shumë probleme në arsim, por me përpjekje të forta, për një kohë të shkurtër ia dolëm të bëjmë shumë gjëra të mira, prej të cilave duhet theksuar rritja e pagave të mësimdhënësve, pajisja me tekste shkollore para fillimit të vitit shkollor, investimet në 36 rikonstruksione të mëdha dhe 36 renovime të vogla të objekteve infrastrukturore, si dhe takime të vazhdueshme me organizata qytetare, kryesisht rinore, të cilat rezultuan me disa kërkesa të pranuara të shpejta të studentëve.
Kjo është përgjigja e ministres së Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska në pyetjen për prioritetet në katër muajt e fundit, në Platformën: 100% kushtuar juve në temën “Masat dhe politikat për zhvillimin e arsimit, kulturës, turizmit dhe sportit”, që u mbajt sot në Qeveri.
“Kjo rritje e pagave të mësimdhënësve paraqet kontribut serioz për atë që themi vazhdimisht: se arsimi është një nga prioritetet e kësaj Qeverie, sepse produkti që ofron arsimi paraqet kujdestarin e shtetit. Jo vetëm që mundësuam ndarjen e mjeteve për rritjen e pagave, por me SASHK -un arritëm të lidhim kontratë shumëvjeçare, që mësimdhënësit të ndihen të sigurt, të mos varen nga situata aktuale, por ta dinë që gjatë 4 viteve të ardhshm atyre u garantohet rritje e pagave prej së paku 46%”, theksoi ministrja Janevska.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës është duke përgatitur dokument strategjik në të cilin do të përcaktohen qartë synimet për zhvillimin afatgjatë të cilësisë së arsimit dhe udhëzimet për arritjen e atyre synimeve.
„ Ideja është që ky dokument të jetë në diskutim publik, dhe pastaj të sillet në Kuvend, që në të ardhmen, cilido ministër të vijë, ta dijë se në cilën rrugë do të shkojë arsimi”, sqaroi ministrja Janevska, duke shtuar se në bazë të këtij dokumenti do të hartohet Strategjia e radhës për arsimin, në të cilën do të shpjegohen më në detaje objektivat e Deklaratës.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit për mungesën e teksteve shkollore në komunën e Tetovës, ministrја theksoi se janë siguruar të gjitha tekstet shkollore të cilat janë miratuar dhe nuk janë shtypur në të kaluarën dhe gjithashtu, janë shpërndarë të gjitha ato të cilat janë kërkuar nga shkollat. Ajo gjithashtu theksoi se drejtorët nuk i kanë paraqitur tekstet shkollore të dëmtuara për të dashur t`i mbrojnë prindërit, të cilët sipas ligjit duhet të paguajnë dëm në vlerë prej 75% të çmimit të tekstit shkollor.
“Sa tekste shkollore janë kërkuar, aq janë shperndarë. Janë kërkuar tekste shkollore për lëndët e Edukimit Fizik, Arsim Figurativ dhe Muzikor, ndërsa të njejtat nuk janë paraparë me Konceptin për arsim fillor”, u përgjigj Janevska. Së shpejti, potencoi Janevska, do sillet Ligj i ri për Tekstet Shkollore, pas së cilit do të pasojë edhe sjellja e akteve nënligjore, sjellja e koncepteve të reja, si dhe të tekste të reja shkollore.
“Pasi të miratohet kjo zgjidhje ligjore, do të diferencohet se ç`farë është tekst shkollor dhe çfarë është material mësimor”, tha Janevska.