Hekurudha drejt Bullgarisë është në interes të Maqedonisë, por ne do të vazhdojmë me ndërtimin pasi të shqyrtohen të gjitha mangësitë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, tha zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, dje në mbrëmje në emisionin “Top Tema” në Tv Telma.
Siç tha ministri Nikolloski, projekti ka tri të meta kryesore, duke përfshirë çmimin, fizibilitetin dhe zgjidhjen e tunelit.
“Sa i përket çmimit është rënë dakord për një rishikim ndërmjet palës maqedonase, palës bullgare dhe Bashkimit Evropian. Le të shohim se si u arritën këto shuma dhe kush i parashikoi ato shuma. Është shumë mirë që Bashkimi Evropian do të marrë pjesë në auditim dhe ata do të shohin shumë gjëra dhe ne do t'i sjellim të gjitha gjërat në publik. Një gjë tjetër, ku keni parë një tunel të ndërtohet në gjysmë të rrugës? Po, do të ndërtojmë një hekurudhë për në Bullgari, por jo sipas këtij projekti. Maqedonia aktualisht është e vetmja që ka aktivitete në korridorin 8 në komunikacionin hekurudhor”, theksoi ministri Nikolloski dhe shtoi:
“Kompania që projektoi pjesën e tretë të hekurudhës për Bullgarinë është e njëjta kompani që nuk e përfundoi spitalin e Shtipit dhe me të cilën Republika e Maqedonisë tani është në arbitrazh. Prandaj është shumë mirë që Bashkimi Evropian u pajtua për revidimin e çmimit dhe të projektit”, tha ministri Nikolloski.
Lidhur me pyetjen se pse nuk ka aktivitete në projektin për ndërtimin e hekurudhës nga ana bullgare, ministri theksoi se Bullgaria po punon për një alternativë ndaj korridorit 10 dhe e vendos Maqedoninë në pozitë të palakmueshme.
“Bullgaria ka prioritet të punojë në një alternativë ndaj Korridorit 10 dhe kjo është beteja më e madhe që po zhvillohet në prapaskenë tani, sepse Korridori 10 në Evropën Jugore është korridori më fitimprurës. Bullgaria po bën presion të madh për të krijuar një alternativë ndaj korridorit 10, pra nga Nishi, në vend që hekurudha të zbresë në Shkup dhe Selanik, të shkojë në lindje deri në Bosilegrad dhe pastaj të zbresë në lumin Struma përmes Bullgarisë dhe më pas të lidhet me Selanikun. Kjo është beteja që po zhvillohet në prapaskenë tani. Nëse kjo betejë zhvillohet, Maqedonia do të bëhet apendiksi i Ballkanit. Dhe për këtë janë nervozë, sepse ne po e thyejmë atë strategji, duke u fokusuar në një korridor që është ekonomikisht më fitimprurës dhe më natyral, në të njëjtën kohë po ndërtojmë edhe Korridorin 8”, tha ministri Nikolloski.