"Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Sot flasim për një temë të rëndësishme, e cila ndër vite shumë pak ka qenë objekt i një analize të thellë dhe të studiuar, as nuk ka qenë objekt i një qasjeje profesionale, bëhet fjalë për administratën dhe masat që duhet të ndërmerren për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të cilat i marrim prej administratës. Por edhe për inovacionet si sfidë kyçe në këtë drejtim.
Kjo është një temë e cila jo vetëm e përcakton cilësinë e shërbimeve që marrim si qytetarë, por edhe formëson imazhin e shtetit tonë.
Vizioni ynë është i qartë: duam një administratë publike e cila do të jetë shembull i efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies. Një administratë publike e cila nuk do të jetë vetëm shërbim për qytetarët, por edhe partner në hartimin e masave dhe hapave të ardhshëm.
Gjatë periudhës së kaluar, të gjithë kemi qenë dëshmitarë të sfidave me të cilat përballet administrata. Proceset e ngadalta, mungesa e digjitalizimit, ndonjëherë edhe mungesa e transparencës dhe llogaridhënies. Por edhe partizimi i cili është problem i hapur, njësoj si mungesa e kompetencës krahas sektorit privat. Këto probleme nuk mund t'i injorojmë – ato janë reale dhe kërkojnë zgjidhje.
Qëllimet tona për reforma përfshijnë:
1. Digjitalizim të shërbimeve: Të sigurohen sa më shumë shërbime të cilat do të jenë të disponueshme në internet, me një klik nga qytetarët. Me këtë do të reduktojmë kohën e pritjes dhe do të përmbushim pritshmëritë e përdoruesve që kanë prej nesh.
2. Efikasitet dhe profesionalizëm: Do të angazhohemi për një administratë të depolitizuar, ku kryesore do të jenë aftësitë profesionale dhe përkushtimi.
3. Transparenca dhe llogaridhënia: Përforcimi i mekanizmave për mbikëqyrje dhe llogaridhënie. Çdo qytetar ka të drejtë të dijë se si dhe ku shpenzohen paratë publike.
4. Reduktimi i burokracisë: Administrata duhet të jetë partner, e jo pengesë për qytetarët dhe bizneset. Punojmë për thjeshtimin e procedurave dhe eliminimin e dokumenteve të panevojshme.
5. Vlerësimi i punës: Është i nevojshëm një sistem për shpërblimin e atyre që punojnë me zell dhe ndershmëri, për të motivuar të gjithë të punësuarit në administratë të synojnë përsosmërinë.
Pse janë të rëndësishme këto reforma?
Administrata publike është zemra e çdo shteti. Kur ajo funksionon mirë, funksionon e gjithë shoqëria. Këto reforma nuk kanë për qëllim vetëm përmirësimin e shërbimeve. Ato janë për rikthimin e besimit – besimit se shteti punon për ju, për çdo qytetar, pa marrë parasysh përkatësinë politike apo statusin. Këto ndryshime nuk do të jenë të lehta, por me forca të bashkuara, jam i bindur se do të kemi sukses. Së bashku me ekspertët, partnerët ndërkombëtarë dhe sektorin civil, do të sigurojmë zbatimin e plotë të reformave. Më e rëndësishme nga të gjitha, reformat do t’i bëjmë me – qytetarët. Do të dëgjojmë dhe do të përgjigjemi ndaj kërkesave të tyre.
E ardhmja duhet të formësohet nga inovacionet, teknologjia dhe zgjidhjet kreative. Shërbimet publike janë ura themelore midis shtetit dhe qytetarëve, dhe prej tyre varet se sa shpejt, me efikasitet dhe me transparencë do të plotësohen nevojat tuaja.
Vizioni ynë është të krijojmë shërbime publike që jo vetëm të jenë të arritshme, por edhe të thjeshta, të mençura dhe të orientuara drejt përdoruesve.
Pse janë të nevojshme inovacionet?
Sot, në kohën e sfidave globale, transformimit digjital dhe pritshmërive të rritura, nuk mund të mbështetemi në metodat e vjetra. Qytetarët presin shërbime që janë të shpejta, të sakta dhe të lehta për t’u përdorur. Prandaj, inovacionet nuk janë luks – ato janë domosdoshmëri. Është koha për ndryshime. Koha për një administratë publike të re, moderne dhe efektive, e cila do të jetë krenari. Është koha të tregojmë se mundemi më mirë dhe më shumë.
Të nderuar të pranishëm,
Inovacionet nuk janë thjesht mjete dhe teknologji të reja – ato janë një mënyrë e re e të menduarit. Ato janë ura mes së tashmes dhe së ardhmes, mes nevojave të zakonshme dhe zgjidhjeve të jashtëzakonshme.
Të punojmë së bashku, me vizion dhe vendosmëri, për të ndërtuar shërbime publike që do të jenë shembull i cilësisë, efikasitetit dhe inovacionit. Me këto hapa, do ta bëjmë shtetin më të fortë, më të suksesshëm dhe më të përgatitur për sfidat e së ardhmes.
Ju faleminderit!"