Mickoski: Në mbledhjen qeveritare u miratuan 500 milionë euro të reja nga Hungaria, të destinuara për shlyerjen e eurobondit të marrë nga qeveria e kaluar, po shlyejmë detyrimet e trashëguara

Kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski, gjatë pjesëmarrjes në Studion e Hapur të RTVM-së me temë "Buxheti 2025", deklaroi se sot, në seancën e qeverisë, janë miratuar 500 milionë euro të reja nga Hungaria të cilat do të përdoren për shlyerjen e eurobondit të marrë nga qeveria e kaluar dhe theksoi se Qeveria po shlyen detyrimet e trashëguara.  

“Sot, pas negociatave të gjata dhe të vështira, në seancën qeveritare u miratua pjesa e dytë e kredisë hungareze, 500 milionë euro të tjera. Para zgjedhjeve, folëm për 1 miliardë euro, kur siguruam 500 milionët e para, u kritikuam se ishin vetëm 500, ku janë të tjerat, e ne thoshim keni durim, nuk duam që tani të shpenzojmë edhe gjysmën tjetër sepse do të duhet të paguajmë interes. Do ta mbyllim këtë marrëveshje kur të jetë e nevojshme, dhe kjo është tani, sepse më 25 janar skadon afati i eurobondit të marrë në vitin 2018 nga qeveria e kaluar, për të cilin nevojiten 500 milionë euro për ta shlyer,” theksoi kryeministri Mickoski.

Kryeministri Mickoski sqaroi se, nëse sot do të dilnim me vlerësimin aktual të kredisë dhe do ta krahasonim me shtete me vlerësim shumë më të mirë kreditor, të cilat marrin eurobonde me një normë interesi prej 5%, atëherë ne nuk mund të prisnim një eurobond me një normë më të ulët se 6%, ndërsa tani kemi siguruar një hua me normë interesi prej 3.25%, që është për 2.75% më e ulët se ajo e tregut.

“Në 500 milionë euro kur i llogarisim të gjitha këto, afati i maturimit prej 15 vitesh, kursimi arrin deri në 200 milionë euro. Ne do të marrim hua për të shlyer hua, përkatësisht qeveritë dhe gjeneratat e ardhshme nuk do të kenë më eurobonde për të shlyer. Këto pritet të jenë funksionale nga viti i ardhshëm. Ndërsa 250 milionë eurot e mbetura, kemi thënë, do të vihen në dispozicion të sektorit të biznesit përmes Bankës Maqedonase për Ripërtrirje dhe Zhvillim, përkatësisht bankave komerciale, me normë interesi prej 1.95%, me grejs periudhë deri në 3 vjet dhe afat shlyerjeje deri në 15 vjet – kushte që mendoj se asnjë kompani në Maqedoni dhe madje as në rajon nuk i ka në këtë moment,” tha kryeministri Mickoski.

Kryeministri Mickoski shtoi se pjesa tjetër e 250 milionë eurove do të përdoret për investime kapitale në komuna, për projekte infrastrukturore, rrugë, ujësjellës, stacione për trajtimin e ujërave të zeza, shkolla, kopshte dhe të tjera.  

“Kështu që me këtë 1 miliardë euro të premtuar, ne përmbushim tre synime. Së pari, marrim hua për të shlyer hua, duke ulur barrën për qeveritë e ardhshme. Së dyti, investojmë në projekte kapitale për komunat, duke përmirësuar jetën e 250-300 mijë familjeve. Së treti, mbështesim komunitetin e biznesit dhe arrijmë deri te të gjithë qytetarët,” përfundoi kryeministri Mickoski.