Mickoski: Me vetë faktin që Grubi është i arratisur dhe i pakapshëm për organet e ndjekjes, dëshmon se është fajtor

Absolutisht, Artan Grubi dhe të gjithë ata për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer krim, duhet që nga ana e Prokurorisë të vërtetohet se ata janë fajtorë dhe nga gjykatat të përcaktohet masa bazuar në provat dhe aktakuzën, ndërsa i akuzuari të vërtetojë në procedurë gjyqësore se është i pafajshëm. Kështu duhet të funksionojë e gjithë kjo. Me vetë faktin që dikush është në arrati dhe është i pakapshëm për organet e ndjekjes, ai ose ajo vetëm e konfirmon fajësinë e tij përkatësisht se ekziston fajësia, deklaroi Kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski në intervistën e sotme për edicionin qendror të lajmeve në TVM.

Mickoski theksoi se akuzat e LSDM-së opozitare, sipas të cilave Grubi kinse është lënë të largohet, do të demantohen shumë shpejt, sepse, siç tha ai, angazhimi i Qeverisë është që të ketë një shtet ligjor në të cilën do të ketë luftë të vendosur kundër krimit dhe korrupsionit.

"Tek opozita, veçanërisht tek LSDM-ja, unë shoh një problem që ndoshta Frojd e ka përkufizuar me Subkoshiencën dhe tani politika e tyre e cila për momentin në atë temë është frojdiane dhe ka problem me subkoshiencën e tyre personale, është konfuze në opinion, sepse, nëse tek ata punon subkoshienca, bëjnë reminishenca për disa kohëra të kaluara kur me plane etj., të arratisurit nga drejtësia largoheshin nga shteti, tani e projektojnë këtë sipas optikës së tyre sot, mendoj se është një mesazh i gabuar, i cili shumë shpejt do të demantohet," tha ai.

"Ne po e bëjmë këtë në emër të angazhimit tonë për të pasur një shtet ligjor dhe një luftë të vendosur kundër krimit dhe korrupsionit, dhe është mirë që qytetarët e njohin këtë dhe japin mbështetje. Nuk pres që udhëheqësia e LSDM-së apo partitë e tjera opozitare të dalin dhe të duartrokasin e të thonë bravo, operacioni u përfundua me sukses. Ata do të vazhdojnë me trillime, montazhe, konstrukte etj. por ajo që është e rëndësishme është ndjenja e shpresës që po rikthehet, dhe këtë e shohim në sondazhet. Nuk them se është brilante, nuk them se kemi bërë mrekulli për 6 muaj, mrekullitë janë të pamundura," ishte decid Mickoski.