Mickoski: Kompania farmaceutike e preferuar e qeverisë së kaluar me çmime jashtëzakonisht të larta ka fituar miliona në Onkologji, do të reagojë edhe Prokuroria

Kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski, në intervistën për “360 Shkallë” në RTM, tha se problemi me Onkologjinë do të zgjidhet gjatë javës, duke theksuar se po përfundon koha e abuzimeve, ku kompania farmaceutike e preferuar e qeverisë së kaluar përfitonte nga ilaçet me çmime jashtëzakonisht të larta në kurriz të pacientëve.

"Në shtet ka ligje që duhet të respektohen dhe procedura që duhet të ndiqen. Unë absolutisht pajtohem me ju se çdo i siguruar duhet të fitojë kujdes të duhur mjekësor", tha kryeministri Mickoski.

"Si opozitë, shpesh kemi folur për çështjen e Onkologjisë dhe për gjithçka që ka ndodhur atje siç është mënyra se si janë aplikuar ilaçet, nëse ato ilaçe janë trajtuar në mënyrën e duhur dhe nëse e gjithë kjo është keqpërdorur. E dini që kishte një Komision Hetimor në kuadër të Parlamentit dhe atëherë deputetja Rashela Mizrahi doli me një raport sipas disa informacioneve që kam unë, një pjesë e atyre pretendimeve tashmë i trajton Prokuroria. Prandaj, të presim rezultatin e gjithë asaj për të cilën kemi folur në të kaluarën se si do të jetë", tha ai.

I pyetur pse si pushtet nuk janë të gatshëm të ndërmarrin diçka, por vazhdimisht kthehen te e kaluara, Mickoski tha:

“Jo, ne duhet ta konstatojmë këtë, sepse tani po e zgjidhim atë problem. Për ne do të ishte më e lehtë të vazhdonim sipas parimit “si deri më tani”, pra të vazhdonim me farmacinë e preferuar të qeverisë së kaluar, ta mirëmbanim dhe ta trajtonim atë siç bënte qeveria e mëparshme – të merrnim revers dhe t’i paguanim tre deri në katër herë më shumë, pa ndonjë procedurë të rregullt tenderimi, e më pas gjithçka të kthehej. Ose të zbatojmë një procedurë ligjore tenderimi, ku furnizuesit e këtij lloji të ilaçeve do të sigurojnë medikamente për pacientët. Dhe këtë po e bëjmë, menjëherë pas miratimit të buxhetit dhe shpërndarjes në institucionet shëndetësore, të gjitha këto procedura janë ndjekur dhe brenda kësaj jave gjithçka do të zgjidhet dhe tejkalohet. Dhe për herë të parë nuk do të ketë më reverse, as nuk do të ketë më abuzime”.