Gjatë intervistës së mbrëmshme në "Top Tema", ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, theksoi se disa drejtime të mëparshme të Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik (FIZHT) kanë vepruar në mënyrë kriminale dhe kanë bërë keqpërdorime të shumta financiare, për të cilat tashmë janë dorëzuar ose do të dorëzohen padi penale.
"Është vërtetuar se Fondi për Inovacione, me të gjithë drejtorët e tij të mëparshëm gjatë gjashtë viteve të fundit, ka funksionuar në mënyrë shumë kriminale. Janë shkaktuar dëme prej disa milionë euro. Këtë javë do të ketë edhe padi të reja penale për projekte të ndryshme që nuk janë realizuar kurrë, por për të cilat janë bërë pagesa," theksoi Andonovski.
Ai shtoi se Fondi për inovacione ka humbur besueshmërinë për shkak të atyre që kanë shpërndarë para për inovacione që nuk kanë ekzistuar, të cilat janë vlerësuar negativisht edhe në raportet e revizionit.
"Fatkeqësisht, Fondi për Inovacione e ka humbur besueshmërinë te qytetarët edhe nëse nesër hapim një program të ri në Fondin për inovacione, njerëzit do të thonë se ne jemi njësoj si ata të mëparshmit. Ashtu siç të mëparshmit ndanin mjete për reçeta për pica, për çorape të gjata apo për tualete jobinare, ashtu edhe ju do të bëni për disa të reja. Këtë nuk mund ta lejojmë."
Ministri theksoi se plani është që Fondi të mbyllet gradualisht, ndërsa kompetencat të kalojnë nën Ministrinë e Transformimit Digjital, Ministrinë e Arsimit dhe institucione të tjera përkatëse.
„Ideja është që Fondi të mbyllet dhe kjo do të ndodhë gjatë vitit 2025 ndërsa kompetencat në fushën e zhvillimit teknologjik dhe inovacioneve do t’i marrin institucionet përkatëse. Për zhvillimin teknologjik dhe inovacionet digjitale, kjo është përgjegjësi e ministrisë sonë, ndërsa për projektet shkencore dhe inovacionet, do të jetë Ministria e Arsimit. Plani për këtë do të zbatohet gradualisht,“ sqaroi Andonovski.
Andonovski gjithashtu dërgoi një mesazh inkurajues për udhëheqësinë aktuale të FIZHT-it, që të punojë edhe më intensivisht në revizionin e brendshëm, në mënyrë që të zbulohet gjithçka që ka ndodhur brenda.
"E inkurajoj Fondin të punojë edhe më intensivisht në revizion. Kur ta pastrojmë procesin nga kjo cilësi e dobët dhe kriminaliteti që i ka ndodhur FIZHT-it, do të kemi hapësirë të lirë për të diskutuar hapin e rradhës. Sipas meje, ato janë Qendrat Evropiane të Inovacionit Digjital (EDIH) si një mënyrë inovative për të ecur përpara, për të cilën kemi siguruar një milion euro bashkëfinancim për projekte që do të financojnë digjitalizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Dhe kjo është një injeksion i vërtetë për biznesin," ishte i vendosur Andonovski.