Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski dhe shefi i zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Fatih Turkmenogllu, sot nënshkruan Marrëveshjen për grant investimi prej 2,4 milionë euro për projektin e ndërtimit të kalimit të përbashkët hekurudhor kufitar në Tabanoc.
Marrëveshja për grantin është pjesë e pakos investuese prej 7,6 milionë euro për ndërtimin e kalimit të përbashkët hekurudhor kufitar mes Maqedonisë dhe Serbisë në Tabanoc.
Më herët, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim miratoi për këtë projekt huamarrje prej 5 milionë euro si dhe mjete granti prej 250 mijë euro.
Projekti parashikon ndërtimin e ndërtesës së re të përbashkët për nevojat e Policisë Kufitare, Doganës dhe shërbimeve inspektuese të Maqedonisë dhe Serbisë, si dhe rinovimin e objekteve ekzistuese në Tabanoc. Gjithashtu, është paraparë ndërtimi i infrastrukturës së re rrugore dhe komunale.
Bëhet fjalë për një kalim të përbashkët hekurudhor mes Maqedonisë dhe Serbisë. Në këtë mënyrë do të përmirësojmë komunikimin mes dy vendeve, sepse do të kemi sistemin "ONE STOP SHOP", ashtu siç ekziston për udhëtimin me makina, autobusë dhe kamionë, e njëjta gjë do të vlejë edhe për transportin hekurudhor, kur udhëtohet me tren. Shpresoj që kjo të jetë një hyrje drejt rivendosjes së linjës së rregullt hekurudhore për pasagjerë mes Shkupit dhe Beogradit, për çka padyshim nevojiten përpjekje nga të dyja palët. Bëhet fjalë për projekt me vlerë totale prej 7,4 milionë euro në sektorin e ndërtimit dhe 250.000 euro në shërbimet konsulente dhe mbikëqyrje. Konsiderojmë se një nga arteriet kryesore ekonomike të shtetit është pikërisht korridori 10, i cili fillon nga portet jugore, nga porti i Pireut në Athinë dhe nga porti i Selanikut dhe vazhdon deri në Evropën Qendrore, në vende si Hungaria, Austria, Çekia dhe Sllovakia, duke synuar të përshpejtojë lëvizjen e mallrave dhe produkteve në të dy drejtimet, si për importin në Evropë, ashtu edhe për eksportin nga Evropa. Ne po përpiqemi të kontribuojmë në këtë drejtim dhe jemi të kënaqur që kjo do të krijojë vende të reja pune, do të rrisë aktivitetin ekonomik dhe padyshim do të mundësojë tranzit më të shpejtë të pasagjerëve dhe mallrave përmes vendit tonë, gjë që do ta bëjë atë edhe më tërheqës, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.
Sipas dinamikës së planifikuar, pritet që këtë vit të zgjidhet kontraktori dhe të fillojë ndërtimi i stacionit të përbashkët hekurudhor me objektet shoqëruese dhe i njëjti të përfundojë brenda dy viteve.
Në nënshkrimin e marrëveshjes, përveç Fatih Turkmenogllu, shefi i zyrës së BERZH-it, fjalë rasti pati edhe euroambasadori Mihalis Rokas.