Sot dhe nesër (26 dhe 27 mars) një ekip nga Aleanca e NATO-s i udhëhequr nga eksperti i lartë politik dhe raportuesi për vendin tonë Steuart Endrjus do të marrë pjesë në bisedimet dypalëshe të mbrojtjes me Aleancën. Bisedimet i kushtohen planeve për zhvillimin e aftësive të mbrojtjes në përputhje me objektivat e aftësive të NATO-s, duke përfshirë planet e mbrojtjes, financat dhe burimet njerëzore të mbrojtjes.
Ekipi i ekspertëve nga Ministria e Mbrojtjes, i udhëhequr nga sekretarja shtetërore Elizabeta Çupovska Ristova, do të informojë për ndarjen e barrës, e cila përfshin edhe investimet në mbrojtje. Sipas përkushtimit për të investuar në mbrojtje, të miratuar në Samitin në Vilnius në vitin 2023, dhe të riafirmuar në Samitin e Uashingtonit vitin e kaluar, vendi ndan 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtje, gjegjësisht 329 milionë euro, nga të cilat mbi 32 për qind janë të destinuara për pajisjen dhe modernizimin e ushtrisë maqedonase.
Para ekipit të NATO-s do të konfirmohet përkushtimi i Ministrisë dhe shtetit për reforma të vazhdueshme dhe zhvillim të aftësive mbrojtëse në shërbim të mbrojtjes kombëtare dhe kolektive në NATO.
Bisedimet dypalëshe të mbrojtjes me Aleancën zhvillohen çdo vit në kuadër të procesit të planifikimit të mbrojtjes të NATO-s. Procesi i zbatimit të reformave të mbrojtjes, planet për zhvillimin e ardhshëm, si dhe niveli i arritur në zhvillimin e aftësive mbrojtëse vlerësohen në disa fusha.