Të nderuar anëtarë të Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të NATO-s,
Zonja dhe zotërinj,
Të dashur miq,
Më lejoni fillimisht të shpreh mirënjohje për mundësinë që t’ju drejtohem sot. Kjo ngjarje ka një rëndësi të veçantë për shtetin tone, sepse si anëtare e plotë e NATO-s e kemi nderin që të jemi nikoqirë të një ngjarjeje kaq të rëndësishme.
Vetëm para disa javësh, kombi ynë u godit nga një tragjedi që la plagë të thella në zemrat e qytetarëve tanë. Më 16 mars, në një zjarr që shpërtheu në një klub nate në Koçan, humbën jetën 59 të rinj, dhe mbi 150 ishin të lënduar. Me pikëllim të madh, dje humbi jetën edhe Aleksandar Karadakovski. Mjekët luftuan deri në momentin e fundit për jetën e tij. Beteja vazhdon.
Kjo fatkeqësi jo vetëm që na tregoi se sa e brishtë është jeta, por edhe një herë theksoi rëndësinë e solidaritetit dhe mbështetjes së ndërsjellë.
Në ato momente më të vështira, ishim dëshmitarë të një solidariteti të vërtetë nga aleatët dhe partnerët tanë. Nëntë shtete evropiane i ofruan ndihmë vendit tone menjëhherë pas tragjedisë në Koçan. Bashkimi Evropian, përmes Mekanizmit për Mbrojtje Civile, koordinoi evakuimin mjekësor të të lënduarve në spitalet e specializuara në rajon.
Të dashur miq,
Kjo tragjedi na kujtoi se solidariteti nuk është vetëm një fjalë, por një vepër që i bashkon popujt. Ai është themeli i Aleancës sonë – një parim që na udhëheq në përpjekjet tona të përbashkëta për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.
Solidariteti do të thotë: kur njëri nga ne vuan – vuajmë të gjithë. Kur njëri është në vështirësi – të gjithë vrapojmë në ndihmë.
Gjatë pesë viteve të fundit nga anëtarësimi jonë në NATO, kontribuojmë në mënyrë aktive për sigurinë dhe stabilitetin kolektiv të Aleancës.
Forcat tona të armatosura kanë marrë pjesë në misionet e NATO-s në Kosovë dhe Afganistan, duke dëshmuar përkushtimin tonë ndaj qëllimeve të përbashkëta. E rritëm shpenzimin për mbrojtje me një plan të qartë për të arritur pragun prej 2% të PBB-së, duke forcuar kështu aftësinë tonë për të kontribuar në mbrojtjen kolektive.
Përmes organizimit të ushtrimeve për gatishmëri civile dhe kontributin në Fondin e NATO-s për reagim ndaj pandemive, treguam se jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi – si në paqe, ashtu edhe në kriza.
Të dashur miq,
Në 5 vitet e fundit, kemi përmirësuar ndjeshëm ndërveprueshmërinë e forcave tona të armatosura me aleatët tjerë. Përmes stërvitjeve të përbashkëta, ushtarët tanë kanë fituar përvoja dhe njohuri që kanë rritur efikasitetin e tyre në operacione shumënacionale. Integrimi në sistemet e NATO-s për mbrojtje ajrore dhe raketore ka mundësuar shkëmbim informacionesh dhe koordinim më të mirë – një komponent kyç i sigurisë moderne.
Në frymën e angazhimit tone për integrim të plotë, po zbatojmë reforma të thella në sektorin e mbrojtjes. Punojmë në përmirësim të planifikimit strategjik, kontrollit civil mbi ushtrinë, modernizim të pajisjeve, menaxhim transparent të resurseve. Trajnimet zhvillohen sipas doktrinave të NATO-s, ndërsa mekanizmat e rinj institucionalë na bëjnë më rezistentë ndaj kërcënimeve hibride.
E gjithë kjo është pasqyrim i vullnetin tone politik dhe konsensusit se siguria dhe integriteti i shtetit janë prioriteti më i lartë.
Edhe pse jemi krenarë për arritjet, jemi të vetëdijshëm se rruga nuk përfundon këtu. Kërcënimet hibride dhe kibernetike, dezinformimi, krizat klimatike – të gjitha këto kërkojnë përshtatje dhe koordinim të vazhdueshëm.
Vazhdojmë të investojmë në kapitalin njerëzor, rezistueshmërinë digjitale dhe kapacitetet për reagim të shpejtë. Por mbi të gjitha – mbetemi të përkushtuar ndaj vlerave që na bashkojnë: demokracisë, lirisë, sundimin e ligjit dhe solidaritetit.
Bashkëpunimi rajonal është kyç për stabilitetin e Ballkanit. Për ne kjo paraqet njëkohësisht përgjegjësi dhe mundësi – të jemi urë: mes popujve, mes institucioneve, mes vizioneve.
Përmes iniciativave si Karta e Adriatikut dhe partneriteteve bilaterale me fqinjët, investojmë në një siguri që nuk njeh kufij. Besojmë se Ballkani mund dhe duhet të jetë shembull për zgjidhjen e dallimeve përmes dialogut dhe respektit të ndërsjellë.
Zonja dhe zotërinj,
Atdheu ynë në shumë raste ka treguar solidaritet ndaj shteteve të tjera të botës. Në rrugën e vet me gjemba ka bërë shumë lëshime, shumë vetmohime dhe shumë prej tyre kanë hasur në debate tek qytetarët. Disa kanë ngjallur dyshime të arsyeshme, por rrezistuam dhe e treguam besnikërinë tonë ndaj vlerave në të cilat edhe më tej besojmë.
Nga ana tjetër, jo gjithmonë kemi marrë atë që e kemi pritur, besnikëria e tillë ndaj angazhimeve tona është përmbushur.
Mendoj se është e rëndësishme që kjo të dihet, dhe nuk duhet të fshihet kjo ndjenjë e hidhur që e ndjen çdo maqedonas, kudo që ndodhet në botë.
Miqtë jo vetëm ndihmojnë njëri-tjetrin, por edhe ndajnë sinqerisht ndjenjat dhe vërejtjet e tyre. Mendoj se duhet të shqyrtohet krijimi i mekanizmave që do të parandalojnë që mosmarrëveshjet bilaterale të bëhen pengesë për realizimin e qëllimit kolektiv dhe të përbashkët. Nëse të gjithë së bashku e ruajmë shtëpinë – atëherë kemi të drejtë edhe t’i themi hapur problemet, zhgënjimet dhe pritjet tona.
Ne do të mbetemi një partner besnik dhe do të punojmë me përkushtim drejt qëllimeve të përbashkëta.
Në fund,
Sfidat ndryshojnë, por vendosmëria jonë e përbashkët duhet të mbetet e fortë.
Le të na kujtojë tragjedia në Koçan se humaniteti, solidariteti dhe bashkimi janë armët më të fuqishme që i kemi.
Le të jetë kjo një detyrë shtesë – të jemi më të mirë, më të afërt dhe më të sigurt – për qytetarët që na kanë dhënë nderin t’i udhëheqim.
Ju faleminderit dhe Ju uroj mbledhje të suksesshme sot.