Mbledhja konstituive e Këshillit për bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe shoqërisë civile

Këshilli për bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë Civile sot mbajti mbledhjen konstituive, në të cilën fjalë përshëndetëse kanë mbajtur Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Igor Janushev dhe Zëvendësi i Kryetarit të Qeverisë i ngarkuar për politika të qeverisjes së mirë, Arben Fetai.

Sekretari i Përgjithshëm theksoi përkushtimin e Qeverisë për ndërtimin e marrëdhënieve me organizatat e shoqërisë civile në bazë të parimeve të gjithëpërfshirjes dhe planifikimit me pjesëmarrje, sigurisë dhe përgjegjësisë, hapjes dhe transparencës, si instrumente të nevojshme për ndërtimin e barazisë para ligjit dhe përgjegjësisë së vendimmarrësve.

“Në bashkëpunim dhe partneritet me organizatat e shoqërisë civile, me punë efikase dhe transparente në mbledhjet e Këshillit, së bashku do ta ndërtojmë shtetin si një demokraci të avancuar, të drejtë dhe dinamike”, tha Janushev.

Zëvendëskryeministri Fetai theksoi vendin kyç të sektorit civil si mbrojtës i demokracisë dhe si partner konstruktiv në krijimin e politikave më të mira publike.

“Shoqëria civile nuk është dekor i demokracisë, por mbikëqyrës aktiv i saj – zëri që paralajmëron kur ndodhin fenomene si korrupsioni dhe padrejtësia”, theksoi Fetai. Duke iu referuar sfidave me të cilat përballet sektori civil, Fetai theksoi qasjen e kufizuar në fonde, mungesën e mbështetjes sistematike dhe kornizën ligjore të pamjaftueshme funksionale.

“E di se çfarë do të thotë të kërkosh fonde, të raportohet në detaje për projektet dhe të komunikohet me institucionet që shpesh nuk na kuptojnë”, tha Fetai, duke shtuar se një shoqëri civile e organizuar mirë dhe e mbështetur ka fuqinë të kontribuojë në ndryshime thelbësore shoqërore.

Qeveria themeloi Këshillin për bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe shoqërisë civile për institucionalizimin e dialogut dhe për të siguruar që organizatat e shoqërisë civile të mund të ndjekin zbatimin e Strategjisë së Qeverisë për bashkëpunim dhe zhvillim të shoqërisë civile, të monitorojë dhe analizojë politikën publike që ndikon në mjedisin në të cilin zhvillohet shoqëria civile dhe të inicojë miratimin e rregulloreve të reja ose ndryshimin e rregulloreve ekzistuese për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional për veprimtarinë e organizatave.

Në mbledhjen, e cila është e para pas emërimit të përbërjes së re, për kryetar të Këshillit nga radhët e anëtarëve të organizatave u zgjodh Nikica Kusinikova nga Shoqata Konekt Shkup, kurse zëvendëskryetare e Këshillit nga radhët e anëtarëve të organeve të administratës shtetërore u zgjodh Bojana Bosillkova nga Ministria e Drejtësisë.