Gëzuar 8 Prillin – Dita Ndërkombëtare e Romëve: Respekti nuk është vetëm një detyrim, ai është një zgjedhje që e bëjmë çdo ditë

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ministër për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Ivan Stoilkoviq, me rastin e 8 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Romëve, dërgoi një urim për të gjithë pjesëtarët e bashkësisë rome dhe tha:

“8 Prilli, Dita Ndërkombëtare e Romëve, është një ditë që nuk është vetëm simbol i luftës së popullit rom për barazi, liri dhe dinjitet, por edhe një ditë për kujtesë dhe shpresë. Një ditë e përkushtuar rritjes së vetëdijes për të drejtat dhe kulturën e bashkësisë rome, por edhe një kujtues se çdo qytetar, pa dallim etnie apo përkatësie fetare, ka mundësi të barabartë për të marrë pjesë, për të kontribuar dhe për të përparuar.

Bashkësia rome në Republikën e Maqedonisë së Veriut është pjesë e pandashme e mozaikut që e bën vendin tonë kaq të pasur dhe shumëngjyrësh, dhe romët janë pjesë e pandashme e trashëgimisë kulturore maqedonase. Ajo është thellësisht e rrënjosur në historinë dhe zhvillimin e vendit tonë, dhe anëtarët e saj kontribuojnë çdo ditë në fusha të ndryshme. Misioni kryesor i Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive është të garantojë mbrojtjen e të drejtave të bashkësive etnike, përparimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe forcimin e kohezionit kulturor në shoqëri, si dhe promovimin e vlerave kulturore, rritjen e vetëdijes për rëndësinë dhe nevojën për respektimin e diversiteteve kulturore dhe të gjitha formave të tjera të shprehjes. Do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme që integrimi i të gjitha bashkësive dhe qytetarëve në shoqërinë maqedonase të mos jetë vetëm një frazë boshe, por një sfidë që përmes punës së vazhdueshme, dialogut të sinqertë dhe vullnetit të vërtetë do të përkthehet në realizimin e vizionit – një shoqëri ku askush nuk është i padukshëm.

Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive mbetet një përkrahëse e fortë e bashkësisë rome – dhe jo vetëm e saj – që ajo të dëgjohet dhe të përfshihet vërtet në proceset e marrjes së vendimeve. Jam i bindur se politika të tilla do të nxisin integrimin e përgjithshëm të shoqërisë maqedonase, jo vetëm të bashkësisë rome, dhe se kjo nuk nënkupton asimilim, por pranim të ndërsjellë, mirëkuptim dhe ndërtim të përbashkët të së ardhmes.

Respekti nuk është vetëm një detyrim, ai është një zgjedhje – një zgjedhje që e bëjmë çdo ditë me fjalët tona, me sjelljen tonë dhe me politikat tona. Dhe kur zgjedhim të respektojmë, zgjedhim edhe dinjitetin njerëzor.

8 Prilli, dita e bashkësisë rome, le të jetë një kujtesë se përparimi nuk matet vetëm me tregues ekonomikë, por edhe me mënyrën se si sillemi ndaj më të ndjeshmëve mes nesh. Le të jetë një mësim se ndryshueshmëria është forcë, e jo pengesë. Dhe le të jetë një udhërrëfyes në krijimin e një shoqërie ku çdo individ – pa dallim prejardhjeje apo feje – ndihet i denjë, i sigurt dhe i barabartë.

Të gjithë romëve në vendin tonë dhe në mbarë botën, ju uroj 8 Prillin – Ditën Ndërkombëtare të Romëve! Ju dëshiroj shëndet, sukses dhe një afirmim edhe më të madh të potencialit të bashkësisë rome.”