Mickoski nga Budapesti: Ne nuk jemi vetëm përfaqësues të kombeve dhe shteteve të ndryshme, por bartës të idealeve të përbashkëta

Ekselenca Tuaja,

Të nderuar të pranishëm,

Të dashur miq dhe aleatë,

Sot, në këtë platformë prestigjioze ndërkombëtare, me ndjenjë përgjegjësie jemi mbledhur, jo vetëm si përfaqësues të kombeve dhe shteteve të ndryshme, por para së gjithash si bartës të idealeve të përbashkëta – ideale që shënuan momentet më të ndritshme të historisë njerëzore.

Vij nga Ballkani, nga një shtet që ndodhet në zemër të Ballkanit, me rrënjë të thella, por edhe me një vizion të qartë për të ardhmen.
Vij nga një vend ku shekujt na mësuan se forca e vërtetë vjen nga besnikëria ndaj vlerave të përjetshme, me të cilat nuk duhet të bëhet kurrë kompromis.

Duke jetuar në një kohë kur narrativat e rreme përpiqen t’i fshijnë ose t’i relativizojnë identitetet tona kombëtare, ne jemi këtu për të dëshmuar të kundërtën!

Patriotizmi nuk është ndonjë ide retro, por rruga e vetme drejt një të ardhmje të begatë!

Së pari dhe mbi të gjitha –Zoti.

Jo si një abstraksion, por si një Krijues i gjallë që na thërret drejt së vërtetës, drejtësisë dhe mëshirës.

“Të bekuar janë ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen.” (Mateu 5:6)

Në një kohë kur vlerat e krishtera çdo ditë sulmohen, përqeshen dhe përjashtohen nga diskursi publik, ne jemi më se të sigurt: kurrë nuk do të heqim dorë nga trashëgimia shpirtërore të atyre që janë të barabartë me apostujt, vëllezërit e shenjtë Kirili dhe Metodi, të cilët nga Maqedonia sollën shkrimin dhe krishterimin në botën sllave.

Së dyti – atdheu.

Ajo – toka jonë amtare – nuk është vetëm një nocion gjeografik.

Atdheu ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë një ind i gjallë i përbërë nga historia, tradita dhe përpjekjet tona të përbashkëta.

Atdheu nuk ndryshohet, nuk braktiset dhe nuk shitet – ai mbrohet dhe ndërtohet!

Maqedonia, edhe pse e vogël, kurrë nuk ka hequr dorë nga identiteti i saj.

Gjatë historisë sonë sumëshekullore kemi mësuar se liria paguhet me sakrifica.

Sot, në frymën e bashkëpunimit, e vlerësojmë thellësisht mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë, siç është Hungaria – shembulli i së cilës na frymëzon edhe më shumë që t’I përfaqësojmë vlerat në të cilat besojmë.

Më kujtohet edhe një fjalim mbresëlënës i presidentit Trump:

"Nevoja themelore e kohës sonë është të kemi kombe që mbrojnë kulturat, kufijtë dhe vlerat e tyre." – ishte thënë.

Ne, përkrahësit e këtyre vlerave, kemi detyrimin që këtë ide ta pranojmë, ta afirmojmë dhe ta realizojmë.

Dhe më në fund – familja!

Institucioni më i shenjtë që e ka krijuar Zoti.

"Në qoftë se Zoti nuk e ndërton shtëpinë, kot mundohen ndërtuesit." (psalmi 127:1)

Sot, kur disa përpiqen ta ridefinojnë familjen, ne përpiqemi ta mbrojmë atë qelizë dhe vlerë themelore.

Familja është themeli ynë, atdheu ynë, baza jonë.

Sepse e dimë shumë mirë se çdo komb është aq i fortë sa janë të forta familjet e tij.

Besoj se kjo është rruga që duhet ta ndjekim.

Të dashur miq,

Të dashur aleatë,

Të mos i harrojmë miqtë tanë që i mbrojnë këto vlera.

Miku ynë Viktor Orban është një nga liderët që i promovon këto vlera në Evropë dhe për rolin e tij aktiv duhet të mbështetet dhe përshëndetet.

Kjo është politikë mbi themele të forta, politikë ku fjala është fjalë – e fortë si shkëmbi. Ju faleminderit për këtë.

Edhe erërat e ndryshimit që i nisi administrata e Presidentit Trump janë politikë e rritjes dhe e rikthimit të shpresës.

Në këtë kontekst ju bëj thirrje:

Ta forcojmë qëndrueshmërinë tonë shpirtërore.
Ta mbrojmë sovranitetin tonë.
Ta mbrojmë familjen tradicionale.

Ky nuk është vetëm obligim i yni!
Ky është nderi ynë!
Siç thotë një fjalë e urtë popullore maqedonase:
"Një njeri mund të bëjë ndryshim, por të gjithë së bashku mund të bëjmë histori."

Zoti e bekoftë rrugëtimin tonë të përbashkët.

Ju faleminderit!