Murtezani: „Vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta mund të përgjigjemi në mënyrë efikase ndaj sfidave globale gjeopolitike“

Të nderur akademikë, shkëlqesi, kolegë të dashur,

Në kohë ndryshimesh të thella gjeopolitike, dialogje si ky i sotmi marrin rëndësi të veçantë. Të mbledhur këtu në këtë tryezë të rëndësishme, për të shqyrtuar pamjen gjeopolitike dhe lidhjen e saj me procesin e zgjerimit evropian, është e nevojshme të theksohet se zgjerimi nuk është vetëm proces burokratik, as vetëm akt simbolik, – ai është, para së gjithash, çështje gjeopolitike. Sot, Evropa përballet me vendime që shkojnë përtej kornizave tradicionale, duke kërkuar qartësi strategjike dhe vendosmëri të ripërtërirë.

Kontinenti ynë po kalon kohë turbulente, të shënuara nga pasojat e thella të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, ndryshimet në ekuilibrin global të fuqisë dhe konkurrenca gjithnjë e më intensive nga vendet jo-anëtare të BE-së. Ne jemi me të vërtetë dëshmitarë të një momenti të veçantë, në të cilin dinamikat globale po formësojnë gjithnjë e më shumë zhvillimin rajonal. Busulla strategjike që e udhëheq Evropën duhet në mënyrë të qartë të jetë e orientuar  drejt përforcimit të ndikimit gjeopolitik, avancimit të sigurisë dhe prosperitetit të qëndrueshëm. Në këtë kontekst më të gjerë, Ballkani Perëndimor, dhe veçanërisht Maqedonia e Veriut, përfaqësojnë pika kyçe stabiliteti dhe themel strategjik për Evropën.
Bashkimi Evropian prej kohësh e promovon zgjerimin si investim strategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet. Por retorika duhet vazhdimisht të shndërrohet në veprim konkret, sidomos në kushte të një konkurrence gjeopolitike të shtuar. Rruga që po ndjek Maqedonia e Veriut pasqyron si shpresën, ashtu edhe sfidat e procesit të zgjerimit. Vendi ynë po zbaton me përkushtim reforma gjithëpërfshirëse në qeverisje, sundim të ligjit dhe rezistenë ekonomike, duke u përafruar me standardet dhe pritshmëritë më të larta të Unionit.

Përkushtimi ynë mbetet i palëkundur, pavarësisht lodhjes së brendshme që ndonjëherë vjen si pasojë e pasigurisë së gjatë.
Për më tepër, rëndësia strategjike e integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe fqinjëve të saj në strukturën evropiane i tejkalon kornizat e paqes rajonale; ajo gjithashtu përforcon ambicien më të gjerë gjeopolitike të Bashkimit Evropian. Çdo aderim i suksesshëm jo vetëm që e pasuron Unionin, por gjithashtu e përforcon besueshmërinë e tij globale. Nga ana tjetër, pavendosmëria apo vonesat zbulojnë dobësitë, duke inkurajuar kështu narrativa dhe aktorë alternativë gjeopolitikë që synojnë të minojnë unitetin dhe kohezionin evropian.

Sfidat me të cilat përballemi sot theksojnë qartë edhe nevojën urgjente për ripërshtatje brenda vetë Unionin: balancimin e kohezionit të brendshëm, pabarazive ekonomike, sfidave në qeverisje dhe interesave strategjike të jashtme. Zgjerimi, në thelbin e saj, përfaqëson proces të formësimit të së ardhmes gjeopolitike të vetë Evropës – e ardhme që është e lidhur në mënyrë të pashmangshme me Ballkanin Perëndimor.
Qasja e integrimit me faza, e miratuar së fundmi nga Komisioni i ri Evropian, ofron mundësi premtuese. Edhe pse e përkohshme, me të vërtetë mund të shërbejë si zgjidhje pragmatike. Megjithatë, duhet të sigurohemi që ky proces të mos shndërrohet në një dhomë pritjeje pa fund, gjë që do të dobësonte fuqinë transformuese të procesit të aderimit. Integrimi i vërtetë nënkupton progres të vërtetë – hapa konkretë që përmirësojnë dukshëm jetën e qytetarëve, përforcojnë institucionet dhe i vendosin vërtet vendet kandidate në bërthamën evropiane.

Për më tepër, konteksti gjeopolitik thekson fuqishëm nevojën kritike për bashkëpunim të përforcuar rajonal mes vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor. Qasja e bashkuar përforcon pozicionin tonë të përbashkët negociues, nxit stabilitetin rajonal dhe përshpejton harmonizimin me standardet e Bashkimit Evropian. Vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta mund t'u përgjigjemi në mënyrë efektive sfidave globale gjeopolitike.
Interesi ynë strategjik i përbashkët duhet të dalë përtej deklaratave simbolike dhe të shndërrohet në veprim të vendosur dhe të harmonizuar. Vendimet që do t’i marrim sot, në të ardhmen, do ta përcaktojnë rolin e Evropës në skenën botërore.
Të zgjedhim me mençuri, me guxim dhe me besim në vizionin tonë të përbashkët.

Ju faleminderit!