Një Arritje Historike në Fushën e Shtetësisë dhe të Drejtave të Njeriut

Maqedonia e Veriut është bërë vendi i parë në rajon që ka zgjidhur të gjitha rastet e njohura të paishtetësisë që kanë rezultuar nga shpërbërja e RSF Jugosllavisë. Falë përpjekjeve të vazhdueshme të udhëhequra nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Parlamentit, 317 individët e fundit që kishin jetuar në një gjendje juridike të pasigurt që nga shpallja e pavarësisë së vendit, tashmë janë pajisur me shtetësi. Për herë të parë, ata do të gëzojnë të drejtat dhe mbrojtjen e plotë që u garantohet qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Këto përpjekje vijnë pak kohë pasi UNHCR shënoi 30 vjet të pranishëm në Maqedoninë e Veriut vitin e kaluar, kur Philippe Leclerc, Drejtor Rajonal i UNHCR-së për Evropën, u bëri thirrje autoriteteve të ndërmarrin hapat e fundit për të zgjidhur të gjitha rastet e mbetura të pashtetësisë që rrjedhin nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë.
 “Askush nuk duhet të mbetet pa shtetësi , dhe së bashku, mund të sigurojmë që çdo person në këtë vend të ketë një identitet ligjor dhe një vend ku i përket.” – u shpreh ai.
Kjo arritje historike është kulmi i një procesi 34-vjeçar, i udhëhequr nga një qasje gjithëpërfshirëse që përfshiu Komisionin për Sistemin Politik dhe Marrëdhëniet ndërmjet Komuniteteve në Kuvend, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe sektorët kryesorë të saj, përfshirë Sektorin për Shtetësi, Sektorin për të Huaj, Sektorin për Letërnjoftime, si dhe Zyrën e Gjendjes Civile. Përpjekjet e tyre, të mbështetura nga UNHCR, agjenci të tjera të OKB-së, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Këshilli i Evropës (KE) dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian (DBE), kanë çuar përpara ndjeshëm përparimin e vendit në trajtimin e pashtetësisë. Që nga viti 2001, pothuajse 20,000 persona pa shtetësi kanë fituar shtetësinë në Maqedoninë e Veriut.
Në mbarë botën, të paktën 4.4 milionë njerëz mbeten pa shtetësi. Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Filippo Grandi, përgëzoi arritjen e Maqedonisë së Veriut: “Kjo është një nga përpjekjet më të fuqishme në Evropë dhe në të vërtetë në mbarë botën. E kuptoj që Maqedonia e Veriut është tani në prag të çrrënjosjes së plotë të pashtetësisë. Faleminderit për angazhimin tuaj, për ndarjen e këtij progresi me ne, dhe për faktin që jeni kampion në Aleancën Globale.”
UNHCR dhe Misioni i OSBE-së në Shkup gjithashtu përgëzojnë përkushtimin e vazhdueshëm të vendit për zgjidhjen e 168 rasteve të mbetura të njohura, të cilët, ndonëse nuk janë pa shtetësi për shkak të shpërbërjes së Jugosllavisë, nuk janë pajisur kurrë me certifikata lindjeje. Statusi i tyre është aktualisht në shqyrtim, ndërsa autoritetet po punojnë në mënyrë aktive për të gjetur zgjidhje.
Si pjesë e strategjisë afatgjatë për parandalimin e pashtetësisë, Maqedonia e Veriut ka forcuar nenin 4a të Ligjit për Regjistrin Civil, duke garantuar që çdo fëmijë të regjistrohet në lindje, pavarësisht nga statusi ligjor i prindërve. Vetëm në vitin 2024, autoritetet identifikuan 675 fëmijë në rrezik të pashtetësie për shkak të mosregjistrimit. Falë bashkëpunimit proaktiv midis UNHCR-së, Shoqatës së Juristëve të Rinj të Maqedonisë dhe autoriteteve kombëtare, 358 nga këto raste janë zgjidhur me sukses, duke shënuar një ndryshim të rëndësishëm drejt regjistrimit sistematik dhe të menjëhershëm të lindjeve.
Gabriel Gualano de Godoy, përfaqësues i UNHCR-së në Maqedoninë e Veriut, deklaroi:
“Për 93 vjet, Ruzha mbarti mbi supe peshën e kombeve që shpërbëheshin dhe të të rejave që lindnin – e gjitha kjo pa asnjë dokument që të dëshmonte ekzistencën e saj. Duart e saj që dridheshin teksa më në fund merrte një letërnjoftim janë një dëshmi e fuqishme e ndikimit të rëndë që pashtetësia ka mbi jetën e një njeriu. Ruzha priti pothuajse një shekull thjesht për të ndjerë se i përket dikund. Sot, përgëzoj autoritetet e Maqedonisë së Veriut për marrjen e rolit udhëheqës si vendi i parë që zgjidhi të gjitha rastet e njohura të paishtetësisë që rrjedhin nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, dhe shpreh mirënjohjen time të sinqertë për partnerët dhe donatorët tanë, mbështetja e të cilëve e bëri të mundur këtë arritje.”
Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, deklaroi:
“Pas tre dekadash padrejtësie, Maqedonia e Veriut ka kthyer faqen e historisë, duke i dhënë fund paishtetësisë për qindra njerëz të lindur dhe rritur në këtë vend. Sot, me krenari themi: të gjithë ata që jetuan si të padukshëm më në fund kanë një emër, identitet dhe të drejta. Fitorja mbi paishtetësinë është dëshmi se drejtësia nuk është një iluzion – ajo është e mundur kur ekziston vullnet politik, bashkëpunim ndërkombëtar dhe aktivizëm i palodhshëm. Ky moment e shndërron vendin nga një mur ndarës në një strehë për çdo qytetar.”
Me rastin e kësaj arritjeje të rëndësishme, Zëvendës Ministri i Punëve të Brendshme, Astri Iseni, deklaroi:
“Shtetësia është një nga të drejtat themelore të njeriut dhe është baza ligjore për një numër të madh të drejtash dhe lirive të tjera civile; ajo tregon lidhjen ligjore midis një personi dhe shtetit, pavarësisht mënyrës së fitimit, dhe nuk tregon prejardhjen etnike të qytetarit.”
Susan Penksa, Zëvendës Shefe e Misionit të OSBE-së në Shkup, deklaroi:
“Progresi i sotëm është një dëshmi e përkushtimit tonë të përbashkët për të ndërtuar një shoqëri të bazuar në drejtësi, barazi dhe respekt për të drejtat e njeriut. Megjithatë, ndërsa festojmë arritjet e sotme, duhet gjithashtu të pranojmë se puna nuk ka përfunduar ende. Pashtetësia vazhdon të prekë grupe të tjera në vend, veçanërisht në mesin e komunitetit rom. Shumë romë ende përballen me pengesa për të marrë dokumentacion civil, dhe fëmijët romë vazhdojnë të lindin pa shtetësi. Kjo është një çështje serioze që kërkon vëmendje urgjente. E drejta për të pasur një kombësi është e garantuar qartë në angazhimet e OSBE-së, përfshirë Dokumentin e Helsinkit të vitit 1992, Kartën e Stambollit për Sigurinë Evropiane të vitit 1999, dhe Planin e Veprimit të Maastricht-it për Romët dhe Sintit të vitit 2003. Këto angazhime theksojnë se askush nuk duhet të privohet në mënyrë arbitrare nga shtetësia dhe u bëjnë thirrje shteteve pjesëmarrëse të ndërmarrin hapa proaktivë për të parandaluar dhe zgjidhur paishtetësinë. Mos harrojmë se njerëzit pa shtetësi nuk janë të padukshëm – ata janë fqinjët tanë, miqtë tanë dhe pjesëtarë të komuniteteve tona.”
Fjalët nga autoritetet theksuan vlerën e lidershipit të Maqedonisë së Veriut në trajtimin e paishtetësisë dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm për të ruajtur përparimin. Vendi po forcon dhe përshtat kuadrin ligjor me masa mbrojtëse për të siguruar që askush të mos mbetet pa kombësi në të ardhmen. Kjo arritje nuk është vetëm një sukses kombëtar—ajo përbën një shembull global se si vullneti i fortë politik, angazhimi humanitar dhe bashkëpunimi ndërkombëtar mund të çrrënjosin pashtetësinë.