Mickoski: Përveç pajisjeve që i kemi siguruar për parandalimin e zjarreve, është në proces shpallja për angazhimin e 400 zjarrfikësve- po i bëjmë ndryshimet

"Njësia intervenuese e zjarrëfikësve të Maqedonisë, ta quajmë kështu këtë njësi, sot veproi në mënyrë shumë mbresëlënëse dhe motivuese. Sot ndodhi një ridestinim i plotë i automjeteve policore dhe ushtarake “BTR 80”, “Hermelin” dhe “Pincgauer”, të cilat u drejtuan nga persona të aftë nga MPB-ja dhe Armata. Të gjitha ato automjete janë pajisur me rezervuarë të ndryshëm, në varësi të statikës së automjetit, që të mos zhvendoset qendra e gravitetit dhe të mos vijë deri tek përmbysja e automjetit. Inxhinierë punuan në këtë projekt. Rezervuarët janë nga 1.5 metër kub deri në 6, gjithashtu janë të pajisur me pompa të ndryshme me “kuaj fuqi” të ndryshme, pompa me kapacitete të ndryshme, shtypje etj., dhe me të vërtetë duket mbresëlënëse. Kur biseduam me pjesëtarët e Armatës se çfarë terreni mund të përfshijnë ata, më thanë se deri në 20 kilometra vetëm këto automjete, nëse do të shpërndaheshin, do ta shuanin zjarrin"– tha kryeministri Mickoski në emisionin “Tema e ditës” në lajmet e televizionit Sitel.

Ai theksoi se ky ridestinim i automjeteve të vjetra ushtarake dhe policore nuk i ka kushtuar shtetit asgjë, por është bërë nga kompani me përgjegjsësi shoqërore dhe nëse një automjet i tillë kushton 400 mijë euro, atëherë kjo do të thotë se janë kursyer disa dhjetëra milionë euro nga buxheti.

"Nga ana tjetër, është shpallur konkursi për punësimin e 400 zjarrfikësve të rinj. I inkurajoj qytetarët përmes komunave, ata që ndihen të përgatitur, të përfshihen në këtë proces. Kjo njësi, helikopterët ushtarakë dhe helikopterët e policisë, si dhe Er traktorët, njëri është kthyer nga servisi, tjetri kthehet këtë javë, ndërsa i treti deri në fund të korrikut, vlerësoj se jemi të përgatitur që nëse këtë vit ndodhin zjarre, t’i përballojmë" – theksoi kryeministri Mickoski dhe shtoi se ndryshimet e bëra premtojnë gatishmëri në përballjen me zjarret dhe ndryshe nga e kaluara, shteti do të jetë proaktiv, e jo reaktiv në këtë fushë.