Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, së bashku me kryetarin e Komunës së Sveti Nikollës, Dejan Vlladev, shënuan zyrtarisht fillimin e punës së Qendrës së re të shërbimeve, e cila është e dedikuar për qytetarët e Sveti Nikollës dhe rrethinës.
“Me iniciativë të kryetarit Dejan Vlladev, sot jemi në Sveti Nikollë për të hapur Qendrën e re të shërbimeve. Arritëm që në kohë shumë të shkurtër të hapim një zyrë, e cila me tre të punësuarit e saj do të ofrojë mbi 300 shërbime administrative për qytetarët dhe personat juridikë në Sveti Nikollë. Të gjithë qytetarët që nuk kanë mundësi ose nuk dinë të aplikojnë vetë për një shërbim përmes portalit, mund të drejtohen në këtë zyrë shërbimesh”, deklaroi Andonovski.
Ministri shtoi se aktualisht janë më të kërkuara dy shërbime: aplikimi për leje për armë dhe vauçerë për pajisje TIK për studentë, për të cilat është e nevojshme të krijohet një profil përdoruesi dhe me dokument identifikimi personal, të ngrihet niveli i Sistemit për identifikim unik (SIU).
Në pyetjen lidhur me raportin e Entit Shtetëror të Revizionit në lidhje me Sistemin për Planifikim të Integruar të Resurseve (SIPR-sistemi), ministri u përgjigj:
“Sistemi, për fat të keq, dy vite ka qenë i lënë pa mirëmbajtje. Pas nënshkrimit të kontratës në janar të këtij viti, filluam me zbatimin e një plani serioz aksionar për tejkalimin e mangësive. Janë bërë testime sigurie dhe mbrojtje të përdoruesve dhe të të dhënave, ndërsa tani po testohet edhe lidhja me adresat zyrtare të postës elektronike të të gjithë përdoruesve. Me përfundimin e këtij paketi, do të kemi një sistem të besueshëm. Ky sistem do t’u jetë i qasshëm edhe institucioneve jashtë SHPPP-së — agjencive, komunave — të cilat ende veprimtarinë materiale-financiare e kryejnë me anë të letrës, “në këmbë”, ose përmes e-mailit. Tani kjo do të mund të bëhet përmes sistemit tonë.”
Ai njoftoi gjithashtu se sistemi do të lidhet me punën e thesarit.
“Këtë javë e testuam në ministrinë tonë. Neve tashmë nuk na nevojiten më kontabilistët nga SHPPP, sepse të punësuarit tanë në Sektorin për Financa i bëjnë vetë llogaritjet. Në fazën e ardhshme do të dëshiroja, me qëllim të optimizimit të punës së SHPPP-së, që çdo institucion ose ministri të bëjë vetë llogaritjet. Shpresoj se me zhvillimin e këtyre moduleve do ta përmirësojmë edhe më shumë funksionimin e sistemit”, theksoi Andonovski.
Kryetari i Komunës së Sveti Nikollës, Dejan Vlladev, falënderoi për bashkëpunimin e shkëlqyer me Ministrinë e Transformimit Digjital, i cili ka rezultuar me hapjen e kësaj Qendre shërbimesh, që sipas tij do ta lehtësojë punën e të gjithë qytetarëve të Sveti Nikollës në shfrytëzimin e mundësive që i ofron kjo ministri.