Mickoski: Fillim të mbarë të vitit të ri shkollor, Qeveria vazhdon të investojë në arsim cilësor

Të dashur nxënës të klasës së parë,

Të nderuar prindër,

Të nderuar mësues,

I nderuar kryetar komune, ministre, deputetë, drejtor,

Të dashur mysafirë,

Për mua paraqet kënaqësi dhe nder të madh që sot mund të qëndroj para jush. Do të mundohem të jem i shkurtër duke pasur parasysh se durimi, supozoj se vullneti është në nivelin më të lartë, ndërsa durimi në nivelin më të ulët. Do të jap vetëm tre mesazhe që i konsideroj të rëndësishme për mua, por edhe për të gjithë ne në përgjithësi si gjeneratë.

Ndoshta për herë të parë pas shtatë viteve, nxënësit në ditën e parë të shkollës do t’i kenë tekstet para vetes, diçka që është shumë e rëndësishme, diçka që në të kaluarën për fat të keq ka munguar.

E shfrytëzoj këtë rast t’u kërkoj falje prindërve që më shumë se 15 vite më parë flisnim për kompjuter për çdo fëmijë, e sot pas 15 vitesh flasim për libër për çdo fëmijë, por ju premtoj se përmes një disipline të re, që është inteligjenca artificiale me të cilën do të njihen fëmijët tanë, do të mund të flasim për të ardhmen dhe për sfidat që ajo na i sjell.

Gjithashtu, me kënaqësi mund të them se për herë të parë pas 7-8 vitesh, nxënësit në shkollat anembanë Maqedonisë do të kenë mundësi që para vetes t’i kenë tekstet shkollore në gjuhë të huaja – anglisht, gjermanisht dhe frëngjisht – diçka që është shumë e rëndësishme për të krijuar miqësi jashtë kufijve të atdheut tonë, Maqedonisë.

Dëshiroj ta shfrytëzoj këtë rast që t’i shpreh falënderim edhe ministres për gjithçka që ka bërë gjatë këtyre 15 muajve të kaluar, që sot të mund të flasim për atë për të cilën po flasim, sepse e di se sa orë takime kemi kaluar për organizimin që sot ta arrijmë këtë dhe e di gjithashtu se sa shumë orë takime e organizime na nevojiten për të arritur nivelin drejt të cilit synojmë dhe nivelin që u nevojitet më të rinjve tanë.

I falënderohem kryetarit të komunës, për të cilin e di se çfarë bën që Kisella Voda ta ketë këtë pamje që ka sot, dhe e di sa është ende ambicioz dhe ende ka plane të mëdha, jo vetëm për Kisella Vodën dhe Shkupin, dhe jam i bindur se në vitet që vijnë ai së bashku me ekipin e tij do t’i realizojë ato.

Më të rinjve dhe mësuesve dua t’ju përcjell dy mesazhe. Këto janë vite kur mësoni për dy vlera shumë të rëndësishme, e ato janë familja dhe atdheu, Maqedonia jonë. Jam i bindur se mësuesit do t’i përcjellin në mënyrën e duhur dhe në frymën e vërtetë vlerat që nxënësit e klasës së parë duhet t’i mësojnë për familjen e tyre – për nënën, për babain, për gjyshen dhe gjyshin – por gjithashtu edhe për atë që quhet atdhe, Maqedonia jonë e bukur, sepse atë që nxënësit e klasës së parë do ta mësojnë tani, do ta praktikojnë gjatë gjithë jetës së tyre.

Edhe një herë ju uroj orë dhe ditë të lumtura shkollore për nxënësit e klasës së parë, por gjithashtu edhe të gjithë nxënësve që sot fillojnë orën e parë të shkollës u uroj një vit shkollor të mbarë dhe të suksesshëm.

Ju faleminderit dhe Zoti e bekoftë Maqedoninë!