Ministria e Administratës Publike dhe Ambasada e Francës në Republikën e Maqedonisë me projekt të përbashkët për forcimin e kapaciteteve dhe profesionalizimin e administratës publike

Ministria e Administratës Publike dhe Ambasada e Republikës së Francës nënshkruan sot një Memorandum Bashkëpunimi, me të cilin fillon një projekt i ri strategjik që synon modernizimin e institucioneve dhe ndërtimin e një administrate publike profesionale, efikase dhe të besueshme.
Projekti "Forcimi i kapaciteteve dhe profesionalizimi i administratës" realizohet në partneritet me Institutin Nacional të Administratës Publike të Francës (INSP), Drejtorinë e Përgjithshme për Administratë dhe Shërbim Publik (DGAFR), si dhe me Qendrën për Menaxhimin e Ndryshimeve (QMN) - një organizatë e cila, me përvojën dhe ekspertizën e saj, jep një kontribut të rëndësishëm në krijimin e reformave.
Qëllimet kryesore të projektit janë të orientuara drejt:
•    krijimit të një Akademie për trajnim dhe përsosje profesionale të nëpunësve administrativë në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike;
•    rritjes së profesionalizimit të nëpunësve administrativë përmes shkëmbimit të përvojave dhe zhvillimit të programeve moderne pilot për trajnim.
“Ky partneritet konfirmon vendosmërinë tonë për të ndërtuar një administratë moderne – një nxitës të zhvillimit, një partner të besueshëm të qytetarëve dhe një shtyllë të ambicieve tona evropiane. Ky është një investim në të ardhmen e shtetit dhe në institucione që do të rivendosin besimin e qytetarëve.” - theksoi ministri i Administratës Publike, Goran Minçev.
Ministri shprehu mirënjohjen e tij për Ambasadorin e Francës, z. Kristof Le Rigoler, si dhe për të gjithë partnerët që e bëjnë të mundur këtë transformim.

Përmes këtij Memorandumi, Ministria e Administratës Publike dëshmon edhe një herë vendosmërinë e saj të fortë për të avancuar transparencën, llogaridhënien dhe standardet evropiane në shërbimin publik.

Një rezultat kyç i këtij bashkëpunimi do të jetë themelimi i Akademisë për Trajnim dhe Zhvillim Profesional të Nëpunësve Administrativë - një institucion që do të sigurojë njohuri të vazhdueshme, aftësi praktike dhe zhvillim profesional për të gjithë punonjësit në administratë.

Me Akademinë, Republika e Maqedonisë hyn në një nivel të ri të ndërtimit të një administrate publike moderne - një administratë që mëson, përsoset dhe përmirësohet vazhdimisht në shërbim të qytetarëve dhe të ardhmes evropiane të vendit.