Realizohet gjuajtja e parë me pajisjen e re artilerike „Boran“ në PU Krivollak

Sot (9 tetor), ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, mori pjesë në poligonin ushtarak „Krivollak“, ku u krye gjuajtja e parë artilerike me sistemet e reja „Boran“, të cilat janë pjesë e procesit të modernizimit dhe pajisjes së Armatës maqedonase, ndërsa u prezantua gjithashtu blerja e re e uniformës ushtarake-terrenore për anëtarët e Armatës.
Në aktivitetin ku morën pjesë gjithashtu shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneralmajor Sashko Lafçiski, ambasadori i Republikës së Turqisë, Fatih Ulusoy dhe përfaqësues të tjerë të lartë nga Armata dhe Ministria, ministri Misajllovski theksoi se gjuajtja e parë sot dhe vënia në përdorim e këtyre armëve artilerike do të thotë forcim i gatishmërisë luftarake të Armatës.

Ministri Misajllovski, në kuadër të aktivitetit të sotëm, informoi shtesë: „Janë blerë rreth 4.000 kompleta uniformë ushtarake-terrenore, nga marrëveshja bilaterale e përbashkët që kemi nënshkruar me Turqinë, që përmes 2,5 milionë dollarëve do t’i jepen drejtpërdrejt Ministrisë së Mbrojtjes, pra drejtpërdrejt Armatës“. Ai falënderoi përsëri për mbështetjen e aleatit nga Turqia dhe theksoi se janë në vazhdim edhe blerje të tjera që janë pjesë e Marrëveshjes për Bashkëpunim Ushtarak-Financiar me Turqinë.

Obuset „Boran 105 mm“ janë pjesë e baterisë së deklaruar të Batalionit Artiljerik, e cila është pjesë përbërëse e Grupit të Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë. Blerja e këtij mjeti, me të cilin plotësohet qëllimi i NATO-s për pajisje dhe municion për mbështetje zjarri indirekt, përfaqëson një hap të rëndësishëm në realizimin e plotësimit të detyrimeve nga paketa e qëllimeve të NATO-s për kapacitete të përcaktuara në vitin 2021 dhe të konfirmuara me paketën e re për vitin 2025.