Konferencë për shtyp e zëvendës kryeministrit për çështje evropiane, Bujar Osmani

Тekst nga fjalimi i zëvendës kryeministrit Osmani

 

Të nderuar,

Që prej disa ditësh, që kur Prokuroria Speciale Publike në kuadër të hetimeve të tyre, përmendën emrin tim, vazhdimisht po më arrijnë pyetje të numërta, si nga njerëz të afërm - miq, familjarë, po ashtu edhe nga gazetarë, palë të interesuara, bashkëpunëtorë etj. Shumë prej tyre, ata që më njohin mirë, më kontaktojnë për të shprehur besimin dhe mbështetjen e tyre, por në përgjithësi, të gjithë shprehin interesim për këtë rast.

Dua të përsëris se spekulimet rreth këtij rasti ishin ne media edhe më herët, të njëjtat tani më disa herë dolën në publik dhe u drejtuan drejtë meje, me qëllim për të njollosur karrierën time politike. I vetëdijshëm për rrezikun e politikës, publikisht kërkova, disa here me radhë, që Prokuroria Speciale të hap hetim për ta qartësuar plotësisht këtë rast, sepse jam i sigurt në veprimet e mia të drejta dhe ligjore, dhe nuk doja që spekulimet të dominojnë në diskursin publik. Kështu prisja, madje që në fazën paragjyqësore të hetimit, të më thërrisnin nga Prokuroria speciale për të paraqitur faktet, me të cilat disponoj, e gjithsesi, e gjithë kjo të bëhej, para se të plasohej emri im përmes kumtesave në të gjitha mediat si pjesë e hetimit.

Por, kjo është ajo që është, hetimi është hapur, ndërsa unë ditëve të fundit kam mbledhur të gjithë dokumentacionin, përmes të cilit vlerësoj se plotësisht do të qartësohet situata faktike, ku shihet qartë se nuk ka as edhe një shenjë të vetme që tregon çfarëdo lloj pune të paligjshme, përkundrazi, shihet qartë se vendimet e sjella janë ligjore dhe në interes të të gjithë qytetarëve. Dua t'ju informoj se i gjithë dokumentacioni, sot është dorëzuar në Prokurorinë speciale, ndërsa në periudhën në vazhdim, në mënyrë plotësuese do të dorëzohen edhe dokumentet tjera që janë të nevojshme dhe të cilat kërkohen, me çka, sipas meje, ky rast është qartësuar dhe së shpejti pres edhe të mbyllet. Nga ana e përfaqësuesve të Prokurorisë speciale, mora sigurinë dhe qasjen pozitive se materialet e marra paraqesin kontribut të rëndësishëm për hetimin, dhe fitova bindjen se, në një afat të përshtatshëm kohor, hetimi do të rumbullakësohet, me çka, unë jam i bindur se do të konfirmohet, se nuk ka asnjë punë të paligjshme, dhe se kjo do të ndihmojë që përfundimisht të ndërpriten të gjitha spekulimet që u shfaqën në publik, që para se të fillonte hetimi.

Të nderuar,

Sundimi i ligjit paraqet një prej vlerave dhe parimeve themelore dhe një prej sfidave më të rëndësishme politike, në çka jam përkushtuar dy vitet e fundit, periudhë në të cilën, si Zëvendëskryeministër po udhëheq me Sekretariatin për Çështje Evropiane. Tani më si Negociator kryesor me Bashkimin Evropian, edhe më shumë jam i përkushtuar në implementimin e këtyre vlerave dhe parimeve në shoqërinë tonë, dhe qëllimi im është që me vrullin e njëjtë të vazhdoj të punoj edhe në të ardhmen. Më lejoni që në këtë drejtim të deklaroj se roli i Prokurorisë Publike është me rëndësi të veçantë për realizimin e këtyre parimeve, dhe pa marr parasysh këtë situatë të re të krijuar, dua të ju siguroj se mbështetja ime dhe inkurajimi ndaj këtij institucioni mbetet i pandryshueshëm, aq më tepër, sot, edhe më shumë besoj në profesionalizmin dhe neutralitetin e tyre.

Parimi i sundimit të ligjit mbetet bosh dhe i parëndësishëm nëse nuk respektojmë edhe parimin e prezumimit të pafajësisë, e aq më tepër, në faza para-hetimore dhe hetimore, gjegjësisht, përderisa akoma nuk është ngritur as aktakuzë, e ku unë pres që hetimi të rezultojë me vendim se nuk ka bazë për të. Sugjerimi im i drejtpërdrejtë, me emër dhe mbiemër, nga ana e prokurorisë që në këtë fazë paraqet sfidë për karrierën time politike, por unë do të jap gjithçka nga vetja, që të ruaj parimin e prezumimit të pafajësisë, të largoj dyshimet nga puna ime, dhe me këtë të dëshmoj se gjithmonë kam punuar sipas ligjit dhe në interes të qytetarëve.