Kryeministri Zaev në promovimin e TOP 100 kompanive më të suksesshme të OEMV: Qeveria doli në përkrahje të kërkesave të komunitetit të biznesit për uljen e dënimeve të ashpra

Kryetari i Qeverisë së  Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, sot mbajti fjalim në promovimin e TOP 100 kompanive më të suksesshme të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Në këtë eveniment, u ndanë çmime për TOP 5 kompanitë më të suksesshme të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, ndër të cilat tre nga kompanitë prodhuese më të suksesshme, të cilat marrin pjesë në rritjen e përgjithshme të prodhimit industrial. Zgjedhja e kompanive prodhuese në 5 më të suksesshme duhet të jetë motiv edhe për kompanitë e tjera prodhuese për realizimin e qëllimeve të tyre të zhvillimit dhe është konfirmim për klimë të mirë biznesi. 

Në vazhdim të kësaj kumtese ua përcjellim në tërësi fjalimin e Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev.

 

 

“Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore 13 vjet realizon rol të rëndësishëm shoqëror, si pjesë e rëndësishme e pandashme e indit të biznesit të Republikës së Maqedonisë dhe përfaqësues legjitim i interesave të  komunitetit të biznesit i cili në mënyrë aktive merr pjesë në krijimin e klimës së biznesit dhe në politikat ekonomike të shtetit. 

Për mua, është kënaqësi të marr pjesë në këtë eveniment në të cilën do të zgjedhim 100 kompanitë më të suksesshme për vitin e kaluar. 

Rreth 1800 kompani anëtare e njohën potencialin e madh të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore të veprojë dhe të ndikojë në shoqëri në dobi të komunitetit të biznesit për përmirësimin e kushteve për punë afariste, forcimin e sektorit privat dhe rritjen e bizneseve. 

Në procesin e krijimit të politikave ekonomike të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore merr rol aktiv në kuadër të dialogut publik-privat, të cilin Qeveria e hapi me odat ekonomike për ndërtimin e bashkëpunimit të qëndrueshëm dhe të frytshëm me sektorin e biznesit. 

Për nder të bashkëpunimit të frytshëm Qeveria e Republikës së Maqedonisë doli në përkrahje dhe iu përgjigj kërkesave të komunitetit të biznesit për uljen e dënimeve të ashpra të cilat në të kaluarën janë keqpërdorur si shantazhe për mbylljen dhe asgjësimin e firmave. Dënimet tani e tutje do të jenë të drejta dhe proporcionale, do të bëhet shkallëzim ndërmjet ndërmarrjeve të vogla, të mesme dhe të mëdha, me qëllim të nxitjes së ligjshmërisë dhe respektimit të ligjeve. 

Kompanitë e vogla do të paguajnë dënime më të ulëta në krahasim me kompanitë e mëdha.

Për kompanitë, gjatë përcaktimit të gjobës, do të merren parasysh të ardhurat e realizuara gjatë vitit paraprak, numri i  të punësuarave dhe sanksionet e mëparshme për shkelje të njëjta ose të ngjashme.

Për kompanitë e vogla sipas ligjit të ri, gjoba minimale do të jetë 50 euro ndërsa gjoba maksimale do të jetë 2000 euro.  Vetëm për krahasim, në ligjin e vjetër gjoba maksimale ishte 5000 euro, që do të thotë se gjobat për kompanitë e vogla zvogëlohen për 60 për qind.

Por ajo që është e rëndësishme dhe duhet ta dinë kompanitë, është se shtylla e politikës ndëshkuese do të jetë parandalimi. Paralajmërim para se të shqiptohet dënimi.

Shërbimet e inspektimit në mënyrë të rregullt dhe në kohë, përmes qasjes edukative dhe bashkëpunimit të rivendosur me kompanitë, do të bëjnë kontroll të drejt dhe rrënjësor të punës.

Qëllimi është që dënimet të jenë korrigjues të vërtetë në punën e ndërmarrjeve dhe të inkurajojnë punën e tyre të suksesshme, ligjore dhe gjithsesi më e rëndësishme puna fitimprurëse.

Për vitin 2019, në Buxhet parashikuam për 37 për qind më shumë fonde si mbështetje për bizneset, përmes Planit për rritje ekonomike ose shuma e përgjithshme  4.1 miliard denarë. Këto mjete, të nderuar afarist,  ju qëndrojnë në dispozicion për investime të reja që i keni bërë, punësime të reja, investime në makineri dhe pajisje, paga më të larta, rritja e eksportit dhe kapaciteteve tuaja prodhuese për të vendosur prodhime të reja dhe linja të prodhimit.

Kriteret janë transparente dhe të barabarta për të gjithë si për investitorët e huaj  dhe ata vendas. Ju bëj thirrje, që këtë vit në numër edhe më të madh sa ky që e përfundojmë  të paraqiteni dhe të aplikoni për këto fonde.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë e mbështet dhe e ndjek suksesin e kompanive.

Të nderuar,

Ndërmarrjet e suksesshme afariste, që  gjenerojnë fitime, njohuri të reja dhe vlera, që përmbushin rolin e tyre përgjegjës në shoqëri dhe i respektojnë ligjet, janë segmenti më i rëndësishëm për zhvillimin e shoqërisë.

Shteti përmes dialogut të ndërsjellë, me komunitetin e biznesit duhet të krijoj një ambient dhe klimë të përshtatshme që kompanitë të mund të realizojnë qëllimet e tyre zhvillimore.

Me realizimin e qëllimeve të tyre të zhvillimit,  vendi ynë rritet dhe po zhvillohet.

Si mirënjohje, për këtë rol të rëndësishëm shoqëror që e kanë kompanitë, Oda Ekonomike  e Maqedonisë  Veriperëndimore, çdo vit në mënyrë tradicionale i zgjedh  TOP 100 kompanitë më të suksesshme.

Këto 100 kompani të suksesshme, anëtare të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, hapin vende të reja pune për qytetarët tanë, plasojnë produkte dhe shërbimet e tyre në  tregjet tona por edhe ato të huaja, përmbushin rolin e tyre të kompanive me përgjegjësi shoqërore  dhe marrin pjesë në rritjen e përgjithshme ekonomike dhe zhvillimin e shtetit.

Rezultatet e arritura në vitin 2017 janë për tu respektuar, qarkullimi vjetor nga 661 milion euro, rritje e vazhdueshme e të punësuarve, që në vitin 2018 u rrit në 6332, ndërsa për tu përshëndetur, është edhe fakti  që gjashtë kompani gjatë vitit 2017 kanë pasur investime mbi 1 milion euro më shumë në krahasim me vitin e kaluar.
Suksesi i kompanive është sukses i përbashkët i Republikës së Maqedonisë. Me partneritet dhe bashkëpunim me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, vazhdojmë të avancojmë biznes klimën  dhe të ndërtojmë drejtime zhvillimore për avancim ekonomik të shoqërisë sonë.

Në fund, më lejoni që kompanive fituese  të mirënjohjes TOP 100 t’iu uroj dhe t’iu dëshiroj suksese edhe më të mëdha në punën e tyre të mëtejshme.